Moska po ndërmerr hapa në drejtim të zbutjes së konfliktit në Ukrainë, tha kreu i delegacionit rus, Vladimir Medinsky, pas bisedimeve në Stamboll.
Ai theksoi se takimi ishte konstruktiv. Sipas Medinsky, propozimet e palës ukrainase do t’i raportohen Vladimir Putinit.
Përveç kësaj, Moska i ofroi Kievit që të zhvillonte një takim të presidentëve Putin dhe Zelensky me nënshkrimin e njëkohshëm të një traktati paqeje nga Ministrat e Jashtëm.
Nga ana tjetër zëvendësministri i Mbrojtjes së Rusisë, Alexander Fomin, ka thënë se Moska ka vendosur që të ndërpresë aktivitetin ushtarak në drejtimin e Kievit dhe Cherngivit shkaku i bisedimeve të paqes me Ukrainën.
Numri dy i ministrisë së Mbrojtjes këto deklarata i ka bërë para gazetarëve në Moskë.
“Për të rritur besimin mes palëve për negociatat e ardhshme për t’u pajtuar dhe për të nënshkruar një marrëveshje paqeje me Ukrainën, kemi vendosur që të ndërpresim aktivitetin ushtarak në drejtim të Kievit dhe Cherngivit”, ka thënë zëvendësi i Shoigut.
Negociatorët ukrainas kanë ndarë disa detaje të asaj që u mbulua në bisedimet e sotme midis Ukrainës dhe Rusisë në Stamboll, takimi i parë kokë më kokë i dy delegacioneve në më shumë se dy javë.
Ukraina propozoi miratimin e statusit neutral në këmbim të garancive të sigurisë, që do të thotë se nuk do t’i bashkohej aleancave ushtarake ose nuk do të priste baza ushtarake, u thanë gazetarëve negociatorët ukrainas.
Propozimet do të përfshijnë gjithashtu një periudhë konsultimi 15-vjeçare për statusin e Krimesë së aneksuar dhe mund të hyjnë në fuqi vetëm në rast të një armëpushimi të plotë, raporton Reuters.
Midis tyre:
– Negociatat dypalëshe për një periudhë 15-vjeçare për statusin e Krimesë dhe Sevastopolit, me kusht që të ndalohet përdorimi i forcave ushtarake;
– Moshyrja e Ukrainës apo dhe aleancave të huaja ushtarake apo dhe vendosja e bazave ushtarake të huaja në territorin e saj;
– Apel për vendet garantuese në rast se Ukraina bëhet objekt i agresionit ushtarak. Pala ukrainase ka propozuar që të ketë garantues të sigurisë nëse Ukraina sulmohet sërish, dhe sipas mediave të huaja në mesin e garantuesve hyjnë: ShBA-ja, Britania, Kina, Franca, Turqia, Izraeli, Polonia, Kanada dhe Italia
Vladimirsky Medinsky tha se pala ruse mori një ofertë dhe “po ndërmerr dy hapa drejt Ukrainës për depërshkallëzimin”.
Zëvendësministri i Mbrojtjes i Rusisë thotë se Moska ka vendosur të “shkurtojë në mënyrë thelbësore aktivitetin ushtarak në drejtim të Kievit dhe Chernigiv” në mënyrë që “të rrisë besimin e ndërsjellë për negociatat e ardhshme për të rënë dakord dhe nënshkruar një marrëveshje paqeje me Ukrainën”.
Pas takimit në Stamboll, kreu i delegacionit rus në bisedimet e paqes me Ukrainën tha se presidentët e dy vendeve mund të takohen kur të miratohet drafti i një traktati të paqes. Bisedimet zgjatën rreth katër orë me pushime të herëpashershme. Është e paqartë nëse do të vazhdojnë për një ditë të dytë, raporton Reuters.