Janë publikuar pamjet e momentit të arrestimit të serial-killerit Nuredin Dumanit, i cili u gjet i plagosur në një apartament në Fier.
I zhveshur dhe me pranga, Dumani pas arrestimit u dërgua menjëherë për mjekim në spitalin Rajonal të Fierit dhe më pas drejt Spitalit Ushtarak në Tiranë.
Dumani kishte shkuar të strehohej në Fier, pas përplasjes me armë në Papër të Elbasanit. Ai kishte shkuar në Elbasan për të vrarë armikun e tij Talo Çela, por ky i fundit ishte në dijeni dhe 39 vjeçari nga Dibra ra në kurth e mbeti i plagosur.
Menjëherë u nis drejt Fierit dhe aty u lokalizua në një bllok pallatesh në lagjen “Apolonia”. RENEA zbarkoi brenda disa minutash në qytet dhe e prangosi teksa qëndronte në një apartament bashkë me një person tjetër.
Në mesnatë Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano, në një konferencë të jashtëzakonshme për mediat bëri publike detajet e arrestimit, duke thënë që në momentin që u vu në pranga Dumani ka qenë i plagosur.