Gjatë vitit të kaluar në të gjithë vendin përfunduan së ndërtuari 69 kilometra rrugë, 60 për qind e të cilave ishin të kategorisë C me dy korsi të përnderuara kryesisht në asket Kardhiq-Delvinë dhe në Qukës -Qafë -Thanë.
Kosto e përgjithshme për të 69 kilometrat ishte 119 milionë euro sipas të dhënave zyrtare te Ministrisë së Infrastrukturës.
Me financime të brendshme u ndërtuan 42 kilometra me një fond të përgjithshëm 9,1 miliardë lekë nga të cilat 28 kilometra ishin të kategorisë C, ndërsa me fonde të huaja u ndërtuan 27 kilometra, për të cilat u shpenzuan 5,4 miliardë lekë.
Projekti më i shtrenjtë ishin 1.4 kilometra në Sheshin Shqiponja në Unazën e Madhe që kushtuan 4.5 miliardë lekë ose rreth 36 milionë euro.
Ndërsa një kilometër rrugë e kategorisë C me fondet brendshme kushtoi 1,1 milionë euro. Rrugët e kategorisë C sipas kodit rrugor janë rrugë dytësore interurbane dhe zakonisht janë më dy kalime me një gjerësi jo më shumë se 7 metër. Kosto për këtë kategori rrugë në 10 vitet e fundit gati është 10- fishuar, pasi në fund të viteve 2000 një njësi e tillë kushtonte rreth 100 mijë euro.
Përgjatë vitit të kaluar me financim të huaj u ndërtuan 27 kilometra, të cilat 13 ishin të kategorisë B. Kosto për 1 kilometër me fondet e huaja ishte 1.6 milionë euro.
Përgjatë vitit të kaluar financimet u përqendruan kryesisht në katër projekte kryesore të tilla, si Unaza e Madhe e Tiranës, rruga Qukës-Qafë Plloqë, Kardhiq- Delvinë.
Gjithashtu nga buxheti i shtetit u financuan edhe 5,7 miliardë lekë ose rreth 41 milionë euro për kontratat koncesionare nga të cilat pjesën më të madhe te financimeve e mori rruga e Arbrit me një shumë prej 3,1 miliardë lekësh dhe subvencioni i kontratës së mirëmbajtjes në rrugën e Kombit me 738 milionë lekë.
Aktualisht vlera e kontratave që po zbatohen në ndërtimin e rrugëve ka një vlerë prej 60,3 miliardë lekësh. Deri më tani është disbursuar gati gjysma e këtij financimi prej 33,3 miliardë lekësh, prej të cilave 15,8 miliardë lekë u dhanë gjatë vitit 2021.
Investimet në infrastrukturën rrugore te vendit nuk po ndjekin prioritetet e shpallura në Strategjinë Kombëtare të Rrugëve. Sipas këtij dokumenti autostrada Adriatiko-Joniane është vlerësuar me rëndësi pasi lidhet me rrjetin europian të autostradave. Ky projekt që nis në kufirin me Malin e Zi dhe shtrihet nëpërmjet Ultësirës Perëndimore deri në Selanik është e përfshirë në rrjetin parësor Europian dhe ka shanse të mëdha financimi nga donatorët. Por qeveria shqiptare ka tentuar që disa segmente të saj ti financojë me koncension, të cilat kanë dështuar të realizohen deri më tani. Projekti Milot-Balldre i dhënë me PPP me një vlerë 31 miliardë lekësh nuk është aktivizuar ende dhe kontrata tjetër për ndërtimin e aksit Milot-Vorë u anulua nga qeveria në mënyrë të njëanshme 3 vite më parë.
Gjatë vitit të kaluar qeveria pagoi rreth 1 milionë euro për një studim fizibiliteti që kishte porositur për autostradën Adriatiko-Joniane, studim që nxjerr kosto shumë më të ulta se projektet koncensionare të qeverisë./B.Hoxha
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ri-publikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit original.