Me kë e negocioi ish-deputeti i Partisë Socialiste Alqi Bllako dorëzimin në polici?

0
167

Pavarësisht se të gjitha procedurat për arrestimin e Alqi Bllakos u mbyllën mesditën e 31 Marsit, shoqërimi i tij në qeli vonoi deri në orët e para të mëngjesit të 1 Prillit.

SPAK njoftoi se Bllako ka pritur rreth orës 03:30 të mëngjesit për t’u vetëdorëzuar, duke nxitur një thashethemnajë mediatike, sipas të cilës ai ishte arratisur jashtë vendit.

Në fakt, prej ditësh 35-vjeçari ishte nën një presion politik dhe mediatik, në lidhje me përfshirjen e tij për aferën e inceneratorëve. Sinjalet që erdhën nga Partia Socialiste treguan se për Alqi Bllakon ishte rezervuar i njëjti fat si për Lefter Kokën.
Në këto kushte, kur burgosja ishte çështje kohe, arratisja e Bllakos ishte versioni më i besueshëm, pasi ai “u zhduk” duke lënë pa fjalë edhe policinë. Orët e fundit të Alqi Bllakos në liri janë plot mister, ndërkohë që policia e shtoi kakofoninë duke sulmuar mediat për lajmet e rreme.

“Përkundër disa lajmeve të rreme mbi arratisjen e shtetasit Alqi Bllako, ky shtetas ndodhet në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë që prej mbrëmjes së djeshme” thuhej në njoftimin e policisë.

Në fakt, lajmet e rreme për Alqi Bllako kanë qarkulluar që nga mesdita e djeshme. Në fillim gazetarët raportuan për vetëdorëzimin e tij bashkë me të akuzuarit e tjerë, pastaj në orët e mbrëmjes u vetëkorrigjuan, duke raportuar vonesën në arrestime dhe mundësinë për largimin nga vendi.

Një detaj që nxiti imagjinatën ishte postimi në rrjetet sociale i avokatit Sokol Hazizaj që mbron ish-deputetin socialist, i cili publikoi një foto nga avioni me mesazhin: Përqafime!

Por shpjegimi i SPAK për çështjen e Alqi Bllakot ka zbuluar sot se policia nuk ishte problemi. Vërtet arrestimi i ish-deputetit socialist u vonua deri në orët e para të mëngjesit, por prokurorët e kishin njoftuar policinë që në datën 30 Mars për arrestimin e pritshëm të Alqi Bllakos, duke i kërkuar madje, ta mbanin nën mbikqyrje.

“Me shkresën Nr.2407/4 Prot., datë 30.03.2022 kemi njoftuar Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë në lidhje me kërkesën e paraqitur në Kuvend për dhënie autorizimi për arrestimin e deputetit Alqi Bllako, duke i kërkuar mbajtjen nën mbikqyrje të deputetit dhe njoftimin e prokurorit të çështjes nëse deputeti do paraqitej në dalje të territorit të Republikës së Shqipërisë” shkruhet në njoftimin e SPAK për këtë çështje.

Por atëherë përse nuk u prangos menjëherë ish-deputeti, njësoj si të akuzuarit e tjerë në dosjen e inceneratorëve? Për çfarë i shërbyen Alqi Bllakos disa orë më shumë në liri gjatë natës së 31 Marsit? Përse duhej që avokati i tij Sokol Hazizaj të postonte foton nga dritarja e një avioni me mesazhin “Përqafime”?

Një shpjegim e jep gazetari Artan Hoxha, sipas të cilit vonesa e arrestimit të Alqi Bllakos shkon përtej hallit të policëve. Sipas tij, gjatë orëve të mbrëmjes, Bllakon nuk e çuan në qeli sepse po negocionte kushtet e dorëzimit të tij. Ndërsa debaton me kolegët në rrjetet sociale, Hoxha, që mbrëmjen e kaluar ishte deri vonë me avokatin Sokol Hazizaj shkruan:“Rama dje jo vetem qe nuk pati mundesi te tallej, po u mor vete me negociatat, ose dorezohu ose do te shkrijme…”

Sipas Hoxhës, largimi i Bllakos nga Shqipëria ka qenë një opsion, dhe këtu ai bën krahasimin me fatin që pati Llalla duke u larguar në Itali.

“Kishte apo nuk kishte interes eshte tjeter pune, edhe per Llallen nuk kishte leverdi por ja qe mori azilin” shkruan Artan Hoxha.
Shpegimi se orët e fundit në liri, Alqi Bllako i shfrytëzoi për të negociuar dorëzimin e tij duket logjik, për një aferë ku janë të përfshirë krerët e mazhorancës. Bllako duket se ka kuptuar se katapultimi në listat e deputetëve të PS nuk ishte një mburojë politike, por një truk për ta shitur më shtrenjtë si kokë turku. Dhe në këto kushte, kur qelia e burgut është vetëm disa orë larg, vlen shprehja e vjetër: dy duar për një kokë!

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here