Zbulohen tenderat e Zotos, fitoi 4 kontrata për pastrim të lumenjve, akuzohet për punë të pakryera

0
144

Incineratorët ku SPAK ka konkluduar në abuzime miliona euroshe, nuk janë rastet e vetme ku është përfshirë. Janë të paktën dhe 4 kontrata të tjera për pastrim ambienti dhe lumenjsh, ku ai akuzohet për punë të pakryera.

Incineratori i Fierit është vetëm një nga tenderat e kompanisë së Klodian Zotos që ka përfunduar në SPAK. Por ndër vite subjekti Integrated Technology Services ka fituar kontrata nga institucionet e shtetit shqiptar, të cilat kapin vlerën e rreth 378 milionë lekëve.

Kjo kompani është regjistruar në vitin 2010 nga Klodian Zoto dhe rezulton se qëndron edhe pas 4 kontratave të tjera me vlera të konsiderueshme.

Në vitin 2016, Ministria e Mjedisit ka lidhur një marrëveshje me bashkimin e operatorëve Integrated Technology Services, Shijaku dhe Zenit Ambiente për ndërtimin e impiantit të pastrimit të grykëderdhjes së lumit Shkumbin dhe rikualifikimin e vijës bregdetare, me vlerë 101.2 milionë lekë pa TVSH.

Në po të njëjtin vit kompania e Klodian Zotos përmes një procedure me negocim ka marrë përsipër rikonstruksionin e rrjetit të brendshëm të ujësjellësit në Bashkinë Rrogozhinë Loti i parë përkundrejt 27.4 milionë lekëve.

Ky tender është sinjalizuar nga Open data me flamur të kuq me shënimin procedurë me negocim.

Në shkurt të vitit 2017 operatori në fjalë ka fituar dhe vazhdimin e lotit të parë të këtij projekti duke marrë nga Bashkia e Rrogozhinës dhe 54.6 milionë lekë.

Një muaj më vonë po ky subjekt u shpall fitues i për ndërtimin e impiantit të pastrimit të grykëderdhjes së lumit Ishëm dhe rikualifikimit të vijës bregdetare të Gotullës, me vlerë 202.6 milionë lekë.

Për të gjitha këto kontrata, nuk ka nisur ende një hetim nga Prokuroria e Posaçme edhe pse opozita ka akuzuar se këto impiante nuk janë marrë ende në dorëzim nga Ministria e Mjedisit pasi nuk ka një investim real.

Sipas deklaratave të opozitës, impianti në grykëderdhjen e lumit Shkumbin është shkatërruar 2 vjet më vonë nga prurjet e Shkumbinit dhe aktualisht është jashtë funksionit.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here