Papa Françesku tha se po mendonte të organizonte një udhëtim në Kiev, edhe pse kryeqyteti i Ukrainës është i rrethuar nga forcat ruse. Ndërsa për herë të parë kritikoi presidenti Vladimir Putin, për luftën e nisur në Ukrainë, edhe pse nuk e përmendi atë në emër.
“Nga lindja e Europës, nga vendi i lindjes së diellit, tani janë përhapur hijet e errëta të luftës. Ne kishim menduar se pushtimet e vendeve të tjera, luftimet e egra në rrugë dhe kërcënimet atomike ishin kujtime të zymta të një të shkuare të largët”, tha Papa gjatë një vizite në Maltë.
Megjithatë, era e akullt e luftës, që sjell vetëm vdekje, shkatërrim dhe urrejtje, ka përfshirë fuqishëm jetën e shumë njerëzve dhe ditët e të gjithëve. Edhe një herë, disa të fuqishëm, fatkeqësisht të kapur nga pretendimet anakronike të interesave nacionaliste, po provokojnë dhe nxisin konflikte, ndërsa njerëzit e zakonshëm ndiejnë nevojën për të ndërtuar një të ardhme që do të jetë e përbashkët ose nuk do ekzistojë fare. Tani në errësirën e luftës që ka rënë mbi njerëzimin, të mos lejojmë që ëndrra e paqes të zbehet”.