Pas tre orësh në arrati, Altin Marku ka rënë në prangat e Policisë së Lezhës si autor i dyshuar i plagosjes me armë zjarri të Kryetarit të Njësisë Administrative Kallmet, Besnik Simoni. Burime bëjnë me dije se Altin Marku është arrestuar nga policia në një banesë ku ishte fshehur në Kallmet. Blutë e Lezhës kanë gjetur në vendngjarje 12 gëzhoja pistolete.
Si ndodhi ngjarja?
Besnik Simoni u plagos mesditën e sotme pas një debati në zyrë me Altin Markun. Shkaqet e ngjarjes janë ende të paqarta ndërsa dyshohet se dy personat në fjalë kanë pasur konflikte të mëhershme.
Pasi plagosi Besnik Simonin, Altin Marku u largua nga vendngjarja ndërsa policia ngriti disa pika kontrolli për të bërë të mundur kapjen e tij.
Arratia e Altin Markut nuk zgjati më shumë se tre orë ndërsa grupi hetimor ka nisur punën për të zbardhur të tjera detaje.
Aktualisht Kryetari i Njësisë Administrative Kallmet, Besnik Simoni, ndodhet në spitalin e Lezhës ku po merr ndihmë mjekësore ndërsa gjendja e tij raportohet jashtë rrezikut për jetën.