Deputeti konservator britanik David Warburton është pezulluar nga grupi parlamentar pasi mediat publikuan një foto të tij në një tavolinë me disa vija kokaine pranë tij.
“Sunday Mail” publikoi gjithashtu edhe mesazhet që ai i kishte dërguar një gruaje të cilën e pyeste “nëse ishte krenare që një deputet kishte fjetur në shtëpinë e saj një natë më parë” dhe duke premtuar që “herën tjetër nuk do t’i hiqte të gjitha rrobat”.
Gruaja i tha gazetës se e kishte paralajmëruar deputetin 56-vjeçar në mënyrë të përsëritur para dhe gjatë vizitës së tij se nuk donte të bënte seks me të. Ajo tregoi se pavarësisht nga kundërshtimet e saj, ai u zhvesh dhe i shtrëngoi gjoksin duke e shtrirë në shtratin e saj.
Dy gra të tjera kanë dalë gjithashtu duke e akuzuar deputetin për komente të padëshiruara seksuale dhe prekje të pahijshme. Të dyja thonë se ai mburrej për përdorimin e kokainës të cilën e mbante në shtëpinë e tij në Londër.
Deputeti është babai i dy fëmijëve dhe tani ai ende mund të votojë në parlament, por jo si deputet konservator. Autoritetet pritet në nisin një hetim për drogën në foton e deputetit.