Nga Agim Nesho
Autokrati i Ballkanit, Rama, është kthyer tashmë në shfaqjen e tij populiste, në mungesë të ideve për një qeverisje të mirë. Kjo shfaqje e madhe pikërisht tani që populli i tij jeton në kushtet e mbijetesës, të varfërisë dhe e shikon të ardhmen me dyshim. Pushteti autokratik tani është një fakt i pamohueshëm, i dëmshëm për një vend që në kaq pak kohë ka shijuar lirinë dhe sistemin demokratik. Ky regjim u instalua nga paaftësia jonë për ta penguar por edhe nga përkrahja pa kushte e ndërkombëtarëve, që për ironi të fatit na mësuan dhe ndihmuan të jetojmë në demokraci.
Autokratët e rinj nuk janë agallarët dhe despotët e kaluar. Ata nuk vijnë nga sistemi feudal, por përpiqen ta kthejnë sistemin demokratik drejt një forme të sofistikuar të tij. Ata nuk kanë marrëdhënie kontraktuale me popullin për të realizuar aspiratat e tij, por promovojnë sistemin që siguron pushtetin dhe fuqinë e tyre. Ata nuk mbledhin të ardhura, ata ‘rrjepin’ popullin me forma moderne të koncesioneve, të PPP-ve apo shpërdorimit të fondeve publike. Ata nuk e konsiderojnë popullin si një shtresë e ulët, por përdorin popullin për të justifikuar qëndrimet e tyre nëpërmjet kapjes së shtypit të lirë, të shtetit dhe propagandës së shfrenuar. Populizmi i tyre nuk ka ideologji, ka vetëm qëllime pushteti. Ata përdorin populizmin për të varrosur demokracinë dhe parimet e vlerat e saj. Ata janë fashistët e shekullit tonë, shkruante Madeleine Albright.
Ata përdorin popullin dhe flasin në emër të tij. Ultranacionalisti i majtë, Hugo Chavez i Venezuelës, bashkëbisedonte me popullin, por e çoi popullin e tij në një katastrofë ekonomike për të justifikuar politikat e tij revolucionare. Putini që e ka personalizuar pushtetin dhe po rrezikon Rusinë në një aventurë gjeopolitike. Të gjithë populistët ngrenë çështjet sensitive për të rritur përkrahjen popullore. Edhe autokrati Vucic ka ngritur çështjen e mbrojtjes së të drejtave të botës Serbe në Ballkan.
‘Këshillimi kombëtar’ është një gjetje qesharake për të justifikuar qeverisjen e dështuar të qeverisë Rama. Ky është një justifikim përpara ndërkombëtarëve për të treguar që ka legjitimitetin e institucioneve dhe përkrahjen e popullit. Në qoftë se ndërkombëtarët e besojnë (dhe e kanë përkrahur pa rezerva duke humbur besimin në opinionin publik) ky është problemi i tyre. Ne nuk e besojmë më.