Lideri historik demokrat, Sali Berisha, foli në konferencën e tij për shtyp edhe për aferën e inceneratorëve.
“Alqi Bllako është sot i arrestuar, por procesi i tij dëshmoi në mënyrë flagrante përpjekjen antiligjore të qeverisë për mbrojtjen e tij. Qytetarët shqiptarë nuk panë në asnjë moment, një sekuencë të vetme të mbledhjes së Komisionit të Mandeteve, të parlamentit, për të vendosur për imunitetin e tij. Dakord, ai hoqi dorë me shkrim nga imuniteti, por imuniteti nuk është i deputetit, është i parlamentit me Kushtetutë. Komisioni e përgëzonte për vendimin që kishte marrë, por parlamenti duhej të votonte për të miratuar heqjen e imunitetit. Këto nuk ndodhën asnjëra.
Organizata kriminale e inceneratorëve nuk lejoi të ndodhë asnjëra prej tyre. Pastaj Bllako zhduket. Për 13 orë, zërat thonë se u arratis nga Qafë Bota për në Greqi. Thonë se u kthye me helikopter. Por problemi është se policia qëndroi në anën e Bllakos dhe të organizatës kriminale. Ajo mori përsipër, në modelin e mëparshëm, të gënjejë opinioni publik, të gënjejë organet e ligjzbatimit dhe të shprehet se Alqi Bllako mbrëmë ishte në drejtorinë e policisë. Por mbrëmë dhe mëngjesi janë dy kohëra të ndryshme. Ai është paraqitur aty në orën 2 e 10 minuta të mëngjesit.
Çfarë e shtyu policinë? Kush e urdhëroi Gledis Nanon të mashtrojë qytetarët shqiptarë? Ishte ky një vullnet i tij i sëmurë, apo e urdhëroi ministri i familjes, Çuçi.
E them këtë, se njeriu i fundit që e ka takuar Bllakon është vetë Edi Ramën në një nga vilat qeveritare. Kjo gjallo tregon se afera e inceneratorëve është aferë e një organizate kriminale që kryesohet nga Edi Rama dhe përfundon te varësit e Alqi Bllakos,” tha Berisha.