Kryeministri Edi Rama ditën e sotme do të zhvillojë një takim me ministrat dhe deputetët tek “Vila 30.”
Takimi vjen një ditë para Kongresit të PS i cili do të mbahet ditën e nesërme, 9 prill në Pallatin e Kongreseve.
Nuk dihet se cila është arsyeja e takimit të sotëm të kreut të PS me kabinetin e tij.Takimi i nesërm i socialistëve do të ndahet në disa panele, si situata në Ukrainë, energjetika, shëndetësia apo kushtet sociale.
Kongresi i nesërm pritet të fillojnë nesër në orën 11:00 ku disa prej ministrave dhe deputetëve do ndahen në grupe për tu vendosur në sheshet kryesore të kryeqytetit për të diskutuar për çështje që lidhjen me analizën e qeverisë. Më pas punimet do të zhvendosen në Pallatin e Kongreseve. Kongresin do ta hapë Sekretari i Përgjithshëm Damian Gjiknuri dhe më pas do jetë ministrja Spiropali që do bëjë publike punimet dhe rezultatet e Këshillimit Kombëtar.
Çështjet e tjera kanë të bëjnë dhe me punët e PS-së dhe pritet të miratohen ndryshime në Statut. Do të ketë një shtim strukture në administratë pasi në 61 bashkitë e vendit do të ketë një sekretar administrativ i cili do të merret me çështjet administrative. Ditën e nesërme Rama pritet të shkarkojë 61 kryetarët e PS në çdo bashki.
Në fokus do të jetë Tirana, pasi kryeqyteti nuk ka një kryetar dhe këtë detyrë e ka mbajtur i komanduari Erion Veliaj, kryebashkiaku i Tiranës. Këta kryetarë do kenë mundësi për të hyrë në garë dhe për tu rizgjedhur deri më 15 qershor.