Departamenti Amerikan i Shtetit ka theksuar në raportin vjetor për të drejtat e njeriut korrupsionin e përhapur në të gjitha degët e qeverisë dhe institucionet e Shqipërisë. Në raportin tejet kritik, evidentohen problem te shumta shumta me pavarësinë e gjyqësorit, kufizimet e lirisë së medias, skandalin e patronazhistëve teksa citohet edhe raporti i OSBE për zgjedhjet e 25 prillit lidhur me blerjen e votave dhe përdorimit të pushtetit nga Partia Socialiste
SYRI TV
Departamenti amerikan i Shtetit ka publikuar raportin vjetor për të drejtat e njeriut ku ne kapitullin për Shqipërinë ka evidentuar probleme të shumta me pavarësinë e gjyqësorit, kufizimet e lirisë së shprehjes dhe shtypit dhe korrupsionin e përhapur në të gjitha degët e qeverisë dhe institucionet komunale.
Ne raport evidentohet niveli i larte i korrupsionit si dhe mungesa e transparencës në qeveri.
“Qeveria nuk e zbatoi në mënyrë efektive legjislacionin që parashikon dënime penale për korrupsion nga zyrtarët publikë dhe ndalon individët me dënime penale të shërbejnë si kryetarë bashkie, deputetë ose në poste qeveritare ose shtetërore.
Korrupsioni ishte i përhapur në të gjitha degët e qeverisë dhe zyrtarët shpesh u përfshinë në praktika korruptive pa u ndëshkuar. Ndërsa prokurorët bënë përparim të rëndësishëm në ndjekjen e rasteve të korrupsionit publik të nivelit të ulët dhe të mesëm, shkalla e ndjekjes penale për zyrtarët e rangut të lartë mbeti e ulët”.
Ne raportin e Departamentit te Shtetit citohen gjetjet e OSBE lidhur me zgjedhjet e 25 prillit lidhur me blerjen e votave dhe përdorimit të pushtetit nga Partia Socialiste.
“Raporti i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, theksoi disa mangësi, duke përfshirë blerjen e votave, rrjedhjen e të dhënave të ndjeshme personale dhe avantazhin e konsiderueshëm të fituar nga partia në pushtet për shkak të të qenit në pushtet”.
Raporti ishte shumë kritik edhe lidhur me situatën në sistemin e drejtësisë.
“Megjithëse Kushtetuta parashikon një gjyqësor të pavarur, presioni politik, frikësimi, korrupsioni dhe burimet e kufizuara e penguan gjyqësorin të funksiononte plotësisht, në mënyrë të pavarur dhe efikase”.
Raporti përmend problemet e krijuara nga mungesa e plotësimit të Gjykatës së Lartë me numrin e duhur të gjykatësve, duke vënë në dukje se deri më 31 korrik, Gjykata e Lartë kishte një numër të madh prej 36,608 çështjesh të prapambetura në pritje gjykimi. Departamenti nënvizon se edhe korrupsioni në polici vazhdoi të përbënte problem.
“Policia nuk e ka zbatuar gjithmonë ligjin në mënyrë të barabartë. Lidhjet personale, politike ose kriminale, infrastruktura e mangët, mungesa e pajisjeve dhe mbikëqyrja e pamjaftueshme shpesh patën pasoja në zbatimin e ligjit”.
Raporti vë gjithashtu në dukje se ish-të persekutuarit politikë gjatë regjimit komunist vazhduan të bënin kërkesa ndaj qeverisë për dëmshpërblim. Po ashtu problem mbetet e drejta e pronës, veçanërisht procesi i zgjatur i kompensimit dhe nivelet e ulëta të kompensimit për pronën e shpronësuar.
Raporti i ka dhënë hapësirë edhe skandalit të patronazhistëve ku dolën në publik të dhënat e mbi 900 mijë qytetarëve shqiptarë.
“Gjatë fushatës së zgjedhjeve parlamentare të vitit, u bë e njohur se një bazë të dhënash me informacionin personal dhe detajet e kontakteve të rreth 900,000 qytetarëve, si dhe preferencat e tyre të mundshme partiake, u bënë publike, duke i ekspozuar votuesit ndaj presionit të mundshëm”.
Departamenti i Shtetit thekson se ka pasur raporte se qeveria, bizneset dhe grupet kriminale u përpoqën të ndikonin në media në mënyra të papërshtatshme.
“Shumica e pronarëve të stacioneve televizive private përdorën përmbajtjen e transmetimeve të tyre për të ndikuar në veprimet e qeverisë ndaj bizneseve të tyre të tjera. Pati njoftime të besueshme se përfaqësues të lartë të medias përdorën organet e mediave për të ushtruan shantazh ndaj bizneseve duke i kërcënuar me mbulim negative”. Presioni politik, korrupsioni dhe mungesa e fondeve kufizuan median e pavarur të shkruar dhe gazetarët sipas njoftimeve u angazhuan në autocensurë”.
Raporti detajon gjithashtu problemet me liritë individuale të njeriut, përfshirë vrasjen e të riut Klodian Rasha që ishte në shkelje të orës policore, burgjet e mbipopulluara dhe kujdesin e pamjaftueshëm për të burgosurit, dhuna ndaj gruas dhe në familje e keqësuar gjatë pandemisë, dhe diskriminimi për shkak të orientimit seksual dhe identitetit gjinor.