I ftuar në Task Force në SYRI TV me Sonila Meçon, gazetari Basir Çollaku ka folur për raportin e DASH i cili ka nxirë qeverisjen e Edi Ramës, si dhe presionin mbi gjyqësorin.
Çollaku ka theksuar se Rama është zyrtarizuar i korruptuar nga DASH dhe se për këtë duhet të falënderohet edhe ambasadorja e ShBA-së në Tiranë e cila është donatorja e informacionit.
Sipas gazetarit, amerikanët e kanë konstatuar se për dosjen e inceneratorëve, hetimi nuk është bërë në masën e duhur dhe njerëzit që duhet të ishin të akuzuar janë në zyrat publike.
Çollaku: Ky raport zyrtar konfirmon se ne kemi një kryeplak të korruptuar. Në këtë fshatin që po flasim. Ky kryeministër është zyrtarizuar i korruptuar nga DASH. Një kryeministër që drejton një qeveri kudo në korrupsion, një pushtet lokal kudo korrupsion, një prokurori dhe gjykatë që nuk funksionon, pra një shtet që ka rënë, një ligj që nuk sundon, nuk mund të jetë i ndershëm. Dhe ambasada amerikane duhet të falënderohet se është donatorja e informacionit për raportin që me shkrim flet më mirë se me gojë.
Kjo është jetëgjatësia politike e pandëshkueshmërisë është presioni që ushtrohet te prokuroria dhe gjykata që dosjet problematike të ministrave kryebashkiakët dhe zyrtarët që sot duhet të ishin para drejtësis, ende janë nëpër zyra. Edhe te dosja e inceneratorëve që përmendet te raporti i DASH, nuk e dimë vetëm ne, edhe kryeministri e ka prekur këtë, pasi kryebashkiaku i Fierit, i Tiranës, Sekretari i Përgjithshëm, Ahmetaj, Gjiknuri dhe gjithë këta njerëz që kanë konsumuar vepër penale, kush i mbron këta?
Këta i mbron kryeministri. Dua ta përsëris, është të paktën një ministër që prokurori ka një muaj që rri me laps sipër urdhër-arrestit dhe sa e firmos ai, bie telefoni dhe i thotë tërhiqe.
Amerikanët e kanë konstatuar se për dosjen e inceneratorëve, hetimi nuk është bërë në masën e duhur dhe njerëzit që duhet të ishin të akuzuar janë në zyrat publike dhe me sa di unë Rama e ka marrë mesazhin që nuk duhet të mbrojë asnjërin dhe ai e deklaroi në komisionin parlamentar.