Vetëm pak ditë pas shpalljes së tenderit për të blerë 2.3 milionë euro mobilje çështja ka përfunduar në Komisionin e Prokurimit Publik.
Ka qenë kompania Igli Sand shpk në pronësi të Arjan Mujës që ka ankimuar procedurën me vlerë 1.2 milionë eurosh për QSUT.
Referuar ankesës, operatori ka kërkuar rishikimin e kritereve të vendosura nga agjencia e blerjeve të përqendruara, shkak është bërë kushti për pajisjen me licencë të lëshuar nga Komisioni i Mbrojtjes nga Rrezatimet për dy objekte, dollap dhe perde me plumb.
Por sipas subjektit ankimues kjo procedurë nuk ka në objekt materiale me aktivitet të rrezatimit jonizues, të lëndëve radioaktive apo pajisjeve rrezatuese, për të cilat kërkohet domosdoshmërisht licencë.
Madje në argument shtohet se vetë plumbi nuk është metal rrezatues, por mbrojtës nga rrezatimet.
Më tej cilësohet se këto dy artikuj nuk janë objekt i legjislacionit nga rrezatimet dhe operatorët nuk përfitojnë licencë nga Komisioni.
Tenderi për blerjen e orendive, i ndarë në 5 lote u hap 10 ditë më parë kur edhe u thellua kriza e çmimeve të ushqimeve në vend.
Do të jetë vendimi i Komisionit të Prokurimit Publik që do të përcaktojë nëse kriteret e kualifikimit janë në përputhje me ligjin e prokurimeve publike.