Raporti i së martës, 12 prill i DASH nuk u mirëprit nga kryeministri Edi Rama. Përmes rrjeteve sociale Rama u shpreh se raporti i DASH është copy-paste i vitit të kaluar.
Diplomati Agim Nesho në një intervistë për RTV Ora u shpreh se nuk u çudit nga veprimi i Ramës.
Nesho: Ai ka garancitë e tij sepse ai e kupton këtë çështje. Ai lobon fort siç bëjnë të gjithë autokratët sot në botë për të pasur të kontrolluar një vendimmarrje në politikën ndërkombëtare dhe në qendrat më të rëndësishme të vendimmarrjes siç është Uashingtoni apo Brukseli. Këtë gjë e qan zoti Rama dhe duke bërë disa veprime klienteliste siç është ofruar për çështjen e Afganistanit apo siç vetëofrohet në takime të rëndësishme ai kërkon vëmendjen e aktorëve ndërkombëtarë. Ka një garanci që për mendimin tim është e përkohshme.
Nesho u ndal dhe te përzgjedhja e emrit për Presidentin e ri. Diplomati tha se zgjedhja e Presidentit duhet të jetë fryt i një kompromisi sepse ai qëndron mbi palët. Sipas tij çështjen e Presidentit e kanë kthyer në një tende.
Nesho: Partia në pushtet është mjeshtre për të manipuluar. Produkti që do dalë nga ato zarfe është ai që ka në mendje Rama. Dihet që ai do ta vendosë, ai e ka kapur shtetin shqiptar dhe do vazhdojë për sa kohë që opinioni publik të ndërgjegjësohet dhe të dijë detyrat që ka në demokraci. Në radhë të dytë të fuqizohet opozita dhe të lërë mënjanë ndarjet sepse një opozitë e fortë do korigjojë të gjitha këto defekte.
Sipas Neshos, opozita e fortë do ta bëjë qeverisjen më të përgjegjshme. Këto tregojnë se sa nevojë ka Shqipëria për një opozitë të fortë por edhe për një ndryshim.