Ish-kryeministri Sali Berisha në një deklaratë nga selia blu, ka komentuar sulmet që kryeministri Edi Rama i bëri SPAK-ut në Kongresin socialist të 9 Prillit. Berisha tha se frika më e madhe e Ramës është opozita e vërtetë, e cila nuk është peng i pazareve të ulëta.
Deklarata e Berishës:
Edi Rama i tha SPAK-it që unë e dua në burg Sali Berishën dhe në djall opozitën. Për herë të parë në 30 vite, por që të jemi të qartë edhe Partia e Punës, nuk i ka zhvilluar kaq të hapura, përpiqej që të maskonte diçka, Kongreset ishin ekzotike.
Çfarë e shtyu Edi Ramën që të mbante një kongres të tillë? E shtynë jo interesat e qytetarëve, jo problemet e tyre të shkollimit dhe të infrastrukturës, e shtynë interesat e klaneve mafioze, të drogës, çfarë e shtyu tjetër Edi Ramën që të ecte në këtë linjë, frika e thellë se mos SKAPI i opozitës mund të mendonte se do ti afrohej atij, apo rrethit të tij më të ngushtë, të njerëzve të organizatës kriminale të inceneratorëve.
Këto ishin dy motivet që e shtynë atë që të ndërmerrte një sulm të tillë të pazakontë, unik në Europën e sotme, e shtyu nga ana tjetër tmerri që ai ka nga opozita e vërtetë. Ai e ka kuptuar se loja me peng opozitën ka marrë fund, dhe këtë e dinë gjithë shqiptarët. Ai e di që në zgjedhjet e ardhshme, shqiptarët do ta arkivojnë atë në harresën e Shqipërisë.
Ai ka një problem me Sali Berishën, ai nuk mund të bëjë dot pazare të ulëta, nuk mund të tërheqë zvarrë opozitën me Sali Berishën, ky është frika e tij më e madhe. Merr fund koha kur ai e tërhiqte popullin opozitar prej hunde. Padyshim që atij i janë kujtuar dhe 3 humbjet që ka pasur përballë Sali Berishës.