Platforma e prezantuar të shtunën nga Enkelejd Alibeaj për bashkimin e PD, jo vetëm nuk gjen mbështetjen e shumicës së grupit parlamentar, por deputetët as nuk e njohin Alibeajn si kryetar grupi. Flamur Noka dhe Edi Paloka, sollën në vëmendje Kuvendin e 11 dhjetorit, duke theksuar se Basha-Alibeaj kanë frikë nga përballja me vullnetin e demokratëve. Në të njëjtën linjë ishin edhe reagimet e deputetëve Tritan Shehu e Ervin Salianji, të cilët deklaruan se në vend të bashkimit, Alibeaj po nxit përçarje.
Anëtari i Komisionit të Rithemelimit, Flamur Noka në një prononcim për mediat i është përgjigjur deklaratave të Enkelejd Alibeaj, i cili e quajti procesin e zgjedhjeve në bazë ‘përçarës të partisë dhe i njëanshëm.
Sipas Nokës, Basha –Alibeaj ka frikë nga përballja me vullnetin e demokratëve.
“Grupi parlamentar është një organ shumë i rëndësishëm i Partisë Demokratike. Partia Demokratike është e vendosur të respektojë dhe të garantojë të drejtat statutore të cdo organi, por mbi të gjitha është vullneti i anëtarësisë së Partisë që vendos qëndrimin politik të saj. Me këtë rast, theksoj, se askush nuk do mundet më të organizojë procese ku 1958 karrike të lexohen si 5004 delegatë. Askush nuk do mundet më, të zëvendësojë votën e lirë me blinda apo gaz lotsjellës. Askush nuk mundet më të manipulojë me firma fiktive vullnetin e deputetëve dhe grupit parlamentar të PD. Koha e përjashtimeve ka përfunduar dhe bashkë me të dhe koha kur vullneti i shumicës injorohej. Bashkimi vjen përmes votës së lirë”, u shpreh Noka.
Ndërsa deputeti Edi Paloka, solli në vëmendje Kuvendin e 11 Dhjetorit, ku duket qartë se shumica dërrmuese e demokratëve mbështesin Komisionin e Përkohshëm të Rithemelimit, dhe liderin historik Sali Berisha.
Paloka shprehu keqardhje për miqtë dhe kolegët e tij që me dije apo vetëdije kanë firmosur nismën e Alibeajt.
“Thjesht keqardhje për miqtë dhe kolegët që në rastin më të mirë, nuk kanë lexuar se çfarë ju kanë vënë përpara…Keq nëse nuk e kanë kuptuar! Shumë keq nëse e kanë kuptuar dhe nënshkruar me vetëdije të plotë!”, thotë Paloka.
Kundër kësaj platforme ka dalë edhe deputeti Ervin Salianji, dikur mbështetës i grupimit Basha, por që pas zhvillimeve të fundit në kampin blu, mendon ndryshe.
Sipas Salianjit, në vend të bashkimit, Alibeaj po nxit përcarjen. Ai thekson me tej se Forma, mënyra dhe përgatitja e këtij dokukenti mbyllin rrugën për çdo diskutim të përbashkët dhe krijojnë premisat për ndarjen përfundimtare të Partisë Demokratike!
“Dorëheqjet duke mos hequr dorë nuk janë zgjidhje ashtu si çdo proçes i njëanshëm është i dëmshëm për Partinë Demokratike!
Pas deklarimit publik të ketij dokumenti mbyllet dera për çdo zë racional dhe për të mbrojtur çdo interes që zgjedhjet brenda partisë të jenë gjithpërfshirëse! Ofertat publike apo ultimatumet janë një gjuhë që nuk i rrijnë për shtat as një komunikimi normal me kundërshtarin politik dhe jo më me pjesëtarët e të njëjtës familje politike. Forumet e partise aty jane, mungon vetem vullneti ne rastin me te mire apo akoma me keq synimi per ta ndare PD në pjese!”, thotë ai.
Në të njëjtën linjë ishte edhe deputeti Tritan Shehu, i cili në një reagim në SYRI TV, tha se Alibeaj nga ana morale, politike, e ka humbur të drejtën për të qenë Kryetar i Grupit Parlmantar të PD-se.
“Duhet të jemi realistë: Kryetari i Grupit Parlamentar është gjithëpërfshirës, nuk mund të jetë z. Alibeaj. Formalisht ai mund të thotë që jam, por moralisht dhe politikisht nuk mund të jetë, kjo është e sigurt. Aq më shumë kur merr atribute që tejkalon kompetencat e Grupit Parlamentar, se Grupi ka dhe një kryesi“, tha Shehu.
Më herët lidhur me këtë platformë kanë reaguar edhe depuetët të tjerë të PD, si Edmond Spaho, Luçiano Boçi etj, të cilët jo vetëm e mbështesin, por deklarojnë se nuk e njohin Alibeajn si kreun e grupit parlamentar.