Dosja për Nuredin Dumanin përfundon në SPAK, cilat janë atentatet e bujshme që prokurorët s’i zbardhën dot

0
156

Rreth 20 ditë pas arrestimit të një prej emrave më në zë të botës së krimit në Shqipëri dhe i dyshuar si i përfshirë në 7 vrasje, disa prej të cilave kundrejt pagesës, dosja për Nuredin Dumanin është transferuar në Prokurorinë Speciale kundër Krimit dhe Korrupsionit.

Ka qenë Prokuroria e Elbasanit ajo që ia ka përcjellë dosjen SPAK-ut, për moskompetencë. Dumani u arrestua në Fier mbrëmjen e 29 marsit, pas një atentati të dështuar ndaj tij në Elbasan.

Në të njëjtën kohë, Prokuroria e Elbasanit ka përcjellë në SPAK edhe dy dosje të tjera të bujshme, të cilat nuk janë zbardhur ende nga organi i hetimit. Kështu, në SPAK është përcjellë dosja për atentatin ndaj Aleksandër (Aldo) Bahos, ngjarje e ndodhur më 1 korrik të vitit 2019 në fshatin Murras të Elbasanit, ku mbeti i vrarë Klevi Baho, 22 vjeç, i cili sapo ishte liruar nga burgu në Itali. Hetimet atëherë zbuluan vetëm faktin se shënjestër e atentatit ishte Aldo Baho dhe jo vëllai i tij.

Aleksandri njihet si miku i ngushtë i vëllezërve Tafili nga Shkodra, ku Admiri është dënuar me burgim të përjetshëm, ndërsa vëllai i tij, Genci, pas kryerjes së burgimit, është liruar nga qelitë.

Pista kryesore e atentatit ndaj Bahos ishte larja e hesapeve për trafikun e drogës. Gjithashtu, Prokuroria e Elbasanit ka përcjellë në SPAK edhe dosjen për atentatin ndaj Andi Zylyfit, i ekzekutuar me armë zjarri mbrëmjen e 13 dhjetorit 2019.

Zylyfi bashkë me një person tjetër udhëtonin me një mjet tip “Golf”, kur u qëlluan me armë zjarri, ndërsa 26-vjeçari mbeti i vdekur në vend. Nga hetimet pas ngjarjes, rezultoi se viktima kishte lidhje familjare me Endrit Alibejn, 34 vjeç dhe Arben Dylgjerin, 56 vjeç, të cilët u ekzekutuan në zonën e Bradasheshit mbrëmjen e 29 dhjetorit të vitit 2018, ku gjithashtu mbeti i vdekur edhe një shtetas turk.

Nuredin Dumani, 35 vjeç, u përfshi në grabitjen e miliona eurove në aeroportin e Rinasit më 9 prill 2019. Ishte shuma e madhe e parave që u bë shkak që marrëdhënia midis Nuredin Dumanit dhe Talo Çelës të pësonte një krisje të pariparueshme. Shënjestra e parë e atentateve të dyshes ishte më 2 mars të vitit 2020, kur u ekzekutuan Dorjan Shkoza dhe Anxhelo Avdia, në Nishtulla të Durrësit.

Më pas, radhën e ekzekutimeve e kishin vëllezërit Viktor dhe Besmir Haxhia, me origjinë nga Puka dhe banues në Durrës.

Humbja e një shume parash të vjedhura nga grabitja në Rinas dhe të lëna nën ruajtje në servisin e këtyre të fundit, u bë shkak për ekzekutimin e djemve të familjes Haxhia, ngjarje e ndodhur më 24 prill të vitit 2020.

Ndërkohë që ishin në kërkim nga Policia, Nuredin Dumani dhe Talo Çela kryen krime të tjera. Kësaj here Nuredin Dumani u përfshi në vrasjen e Emiljano Ramazanit në qytetin e Elbasanit.

Në vrasje mori pjesë edhe Klevis Kapllanaj, i cili u eliminua gjithashtu. Ndërsa numri i kundërshtarëve ishte zvogëluar, tanimë Nuredin Dumani kishte vënë në shënjestër Talo Çelën, duke i vrarë me armë zjarri vëllanë e tij, Bujar Çelën, më 17 shtator 2020.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here