Rënia e numrit të krerëve të bagëtive kryesisht (dele, lopë dhe dhi) me rreth 20 % në pesë vitet e fundit përveçse po ndikon në rritjen e çmimeve të prodhimeve vendase, mishit dhe bulmetit, po çon në përkeqësimin e bilancit tregtar me jashtë.
Vitin e kaluar importet e mishit shënuan rritje të mprehte duke arritur rekord në dy dekadat e fundit, sipas të dhënave të INSTAT.
Në vitin 2021 importet e mishit shënuan 43,8 mijë tonë, me një rritje 9 për qind me vitin pandemik 2020 dhe 6.4 % në raport me vitin normal 2019. Kompanitë importuan me çmime të lira gjatë 2021 pasi importet në vlerë në 5 vitet e fundit nuk paraqesin ndryshim të qenësishëm, teksa sasia e tyre po vjen në rritje të dukshme gjatë viteve të fundit (shiko grafikun bashkëngjitur).
Importet e mishit pritet të rriten me tej gjatë viteve në vijim, për dy arsye themelore.
E para lidhet me rënien e shpejtë të numrit të bagëtive. Sipas të dhënave nga Ministria e Bujqësisë, numri i fermave që mbarështojnë më shumë se 5 lopë është reduktuar nga 4,250 ferma (në vitin 2015) në 3,472 ferma (në vitin 2019) , duke konfirmuar vështirësitë e fermerëve me rritjen e kostove të inputeve dhe ushqimit, koston e lartë të punimit të tokës dhe çmimin e ulët të qumështit.
Edhe numri i gjedheve për mish po përjeton të njëjtin trend negativ, ndërsa ferma mesatare është gjithashtu shumë e ulët 2.48 gjedhë/fermë. Gjithashtu numri i deleve dhe dhive ra me nga 18% secila në 5 në periudhën 2015-2020.
Së dyti importet e mishit do të nxiten nga rritja e kërkesës për shkak rritjes së numrit të turistëve. Gjatë vitit të kaluar kanë vizituar vendin rreth 5.7 milionë vizitorë të huaj. Numri i vizitorëve po rritet me ritme dyshifore nga viti në vit, teksa kërkesa për mish po rritet nga baret dhe restorantet.
Mishi është baza e recetave tradicionale në vendin tonë. Altin Prenga që zotëron njësitë e agroturizmit, Mrizi i Zanave ka pohuar se furnizimi me mish vendi po bëhet gjithnjë e më vështirë dhe me kosto të lartë.
Rritja e çmimit të mishit që shërben si lëndë e parë pothuajse për të gjitha restorantet në vend, ndikon në rritjen e çmimeve finale në këto njësi.
Gjithashtu rënia e krerëve ishte një ndër faktorët kryesorë për rritjen me rreth 20-40 % të çmimeve të me pakicë të bulmetrave./Monitor