Presidenti si kurth, opozita ka mision tjetër

0
165
Nga Avni Nezaj

Debati i gjithanshëm i politikës është veshur më petkun presidencial dhe ka dalë shëtitje nëpër studiot televizive herë të sponsorizuara nga qeveria, herë nga inceneratorët e herë pa sponsorizim, por për forcë zakoni, që të bëjmë si të tjerët.

U nis si një procedurë zarfesh korrupsioni, e-mailesh për çoroditje, emrash të infiltruar në media, që ta denigrojnë si proces, por edhe të krijojnë bindjen te guvernatorët së gjithçka është demokratike.

Por për ta bërë sa më të plotë gurgulenë “demokratike” të zgjedhjes e kreut të shtetit, Ramës i duhej në lojë, aty nga mesfusha, edhe opozita. Një ditë më parë u takua me rezervat, Mediu dhe Duka, dy politikanë përherë prezentë, por që asnjëherë me votat e tyre, por për shkak të votave të demokratëve, bëhen edhe deputetë, edhe kryetarë të partive, si biznes privat.

Tani i duhet edhe PD. Rithemelimi nuk ka asnjë shans të marrë pjesë në fasadat propagandistike të vajosura me hashash të kryeministrit. Por janë akoma bishtat e lënë nga Basha në PD që recitojnë bindshëm vetëshërbimin e tyre me pjesëmarrjen në fasadat e Ramës, ashtu siç bëri ish-kryetari për gati 9 vjet më radhë. Aty ku kishte nevojë partia e Ramës. Në rresht.

Është degjeneruar deri në maksimum procesi. Deri aty se njerëzit dërgojnë në e-mailet e rilindjes edhe foto kafshësh për propozim për kreun e shtetit.

Kjo bëhet sepse i duhet Ramës, edhe si zhurmë në kohë vjedhjesh të mëdha e skandalesh të pafundme, por edhe se kështu ai tregon supremacinë e tij dhe kontrollin maksimal ndaj çdo institucioni, ndaj çdo njeriu që nuk e kupton që zgjedh kafshë e ky do zgjedhë njeriun. Dhe këtë do ta bëjë tashmë edhe me presidencën. Bile duke parë inatin që shfryu ndaj Ilir Metës pak ditë më parë, mendoj se edhe godinën e kreut të shtetit do të kalojë për rikonstruksion ose ndryshim destinacioni dhe ta internojë presidentin e ardhshëm në ndonjë kontejner. E kjo pastaj të quhet krizë. Që “Lideri” ta zgjidhë sërish.

Opozita është e pabashkuar pasi Bashëbardhët janë akoma në dilema të mëdha. Habiten se si demokratët nuk i duan edhe pse i do Edi Rama. Si mund të mos na duan ata që na votuan kohë më parë kur na do kryeministri, shfryjnë ata në takimet e tyre klub me klub e ku klientët zihen ngushtë se u paguhen pijet.

Pjesëmarrja e opozitës në një proces padyshim fals siç është zgjedhja e kreut të shtetit është një gur tjetër në murin e shkatërrimit të opozitës. Çdo përfshirje e PD në këtë proces legjitimon gjithë betejën e Ramës me Bashëbardhistët në PD për të shkatërruar opozitën. Dhe mërzinë se nuk ia arriti ta bënte përfundimisht e shprehu haptas në Kongresin e Partisë së tij pak ditë më parë kur sulmoi ashpër Sali Berishën që ktheu opozitën në betejë si shpresë për demokracinë shqiptare.

Prandaj është i rëndësishëm një mesazh i shkurtër edhe për Alibeajn edhe për ata skeptikë të opozitës që mendojnë të propozojnë. Presidenti është zgjedhur, pritet veç votimi. Në mos do jetë Edi Rama, është e sigurt se do jetë kandidatura e propozuar prej tij. Pra një rilindas më shumë në një shtet që po kthehet ne serë hashashi, dhe ku rilindja po kultivon e pashqetësuar diktaturën. Dhe misioni i opozitës është përballja me këtë regjim, e jo nënshtrimi dhe bashkëpunimi.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here