Bashkitë vijojnë të paguajnë miliona lekë koncesionarit të Sharrës për djegien e mbeturinave, ndërkohë që impianti i djegies së plehrave ende nuk është ndërtuar. Në 19 prill të këtij viti, Bashkia e Tiranë dhe ajo e Kavajës kanë paguar 100 milionë lekë të vjetra kompanisë “Integrated Energy BV”, duke rënduar taksapaguesit për shërbim të pakryer
Autoritetet shtetërore vijojnë të paguajnë tarifën e plotë për djegien e mbeturinave në landfillin e Sharrës, ndërkohë që koncesionari “Integrated Energy BV” nuk e ofron shërbimin e incenerimit të plehrave.
Në 19 prill të këtij viti, Bashkia e Tiranës dhe Bashkia e Kavajës kanë paguar në total rreth 100 milionë lekë të vjetra për kompaninë me drejtor të parë Klodian Zoton, i shpallur prej muajsh në kërkim policor.
Qeveria “Rama”, nëpërmjet Ministrisë së Drejtësisë dhe kompania off-shore “Integrated Energy BV”, nënshkruan në gusht 2017 kontratën koncesionare për ndërtimin e landfillit dhe inceneratorit në Sharrë të Tiranës. Kontrata parashikonte që koncesionari do të kryente investimin e plotë në vlerë 128 milionë euro dhe kjo kosto, si edhe përfitimi tregtar, do të paguhej nga njësitë e qeverisjes vendore nëpërmjet pagesës 29 euro për ton, për depozitimin dhe incenerimin e mbetjeve.
Rreth 5 vjet pas nënshkrimit të kontratës, kompania koncesionare ende nuk e ka ndërtuar impiantin e djegies së plehrave. Të dhënat zyrtare tregojnë se inceneratori pritet të ndërtohet në vitin 2024. Por, megjithëse impianti i djegies në landfillin e Sharrës nuk ekziston, bashkitë paguajnë tarifën e plotë prej 29 euro për ton mbeturina, duke rënduar taksapaguesit me një kosto për shërbim të pakryer.
Procedurat për nënshkrimin e kontratës koncensionare për landfillin e Tiranës janë subjekt i hetimit nga Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit-SPAK, në kuadër të një hetimi të gjerë mbi inceneratorët.
Deri më tani, prokurorët specialë ende nuk kanë arritur në ndonjë rezultat për hetimet mbi inceneratorin e Sharrës.