Shefja e Departamentit të Epidemiologjisë pranë ISHP-së, Silva Bino deklaroi këtë të martë se nuk ka asnjë të dhënë që hepatiti misterioz, i cili po prek fëmijët në Mbretërinë e Bashkuar të jetë futur në Shqipëri.
Bino theksoi se situata në terren po monitorohet dhe ISHP ka ngritur alertin për këtë virus të ri i cili dyshohet se prek kryesisht mëlçinë te fëmijët dhe ka shënuar rastet e para në vende si Britania e Madhe dhe SHBA-ja.
“Për sa i përket këtij hepatiti ne e kemi marrë njoftimin ka rreth 3 javë nga OBSH dhe ky njoftim është komunikuar me të gjitha strukturat. Nuk kemi të dhëna në vendin tonë, rastet më të mëdha janë në Mbretërinë e Bashkuar dhe në SHBA aty dhe ku doli për herë të parë virusi.
Është një situiatë që po monitorohet në botë dhe ne kemi ngritur alertin për këë gjë. Deri tani nuk vërejmë asnjë rritje për momentinm, asnjë shenjë shqetësuese. ISHP është në gjendje të bëjë identifikimin e adenovirusit”, tha Bino.
Ndërkohë që mjekja Gjeorgjina Kule, Shefja e Pediatrisë Infektive në QSUT, bëri me dije se simptomat e hepatitit të ri përfshijnë çrregullime në traktin tretës, si të vjella apo diarre.
“Shenjat lidhen me traktin tretës, të vjella, diarre, këputje dhe zverdhje të lëkurës. Nëse ka turbullira të traktit tretës dhe nuk qetësohen, të drejtohen te mjeku i familjes për të mos na shpëtuar ndonjë rast dhe për të dhënë ndihmën e nevojshme. Kemi vënë re çrregullim të mëlçisë në kuadër të Covid, por të gjitha rastet janë trajtuar. Jemi vigjilent”, u shpreh Gjeorgjina Kule, Shefja e Pediatrisë Infektive në QSUT.”, tha Kule.