Keni dyshime për saktësinë e matësve të energjisë? ERE: Nga kërkesat për verifikim, 12% u ndryshuan. Më shumë ‘ankesa’ në mars dhe maj

0
136

Konsumatorët të cilët kanë dyshime mbi saktësinë apo aspektin teknik të matësit të energjisë mund të kërkojnë verifikim të tij nga ana e institucioneve.

Nga kërkesat e konsumatorëve rezultoi që në vitin 2021 të paktën 12 për qind e këtyre matësve janë ndryshuar duke vendosur matës të rinj.

Të dhënat i bëri të ditura Enti Rregullator i Energjisë i cili vëren se aplikimet më të shumta për verifikim matës vihen re përgjatë periudhës mars dhe maj.

“ERE ka kërkuar nga OSSH sh.a. që në zbatim të “Rregullores mbi procedurat për paraqitjen e një kërkese, shqyrtimin e saj dhe afatet e njoftimit kur klienti dyshon në saktësinë e të dhënave të aparatit matës të energjisë elektrike të paraqesë informacion 4-mujor periodik në ERE në lidhje me kërkesat e klientëve për verifikimin e saktësisë së aparatit matës të energjisë elektrike”.

Rezulton se gjatë vitit 2021 janë bërë 1,871 verifikime të aparatit matës, me kërkesë të klientëve të Energjisë, duke shënuar numrin më të madh të kërkesave për verifikim muajt Mars – Maj” nënvizon Enti.

Ky i fundit shprehet se lidhur me analizën e rezultateve gjatë kësaj periudhe janë ndryshuar 228 matësa, rreth 12% e rasteve. Qëllimi i një analize mbi të dhënat e sa më sipër sipas ERE, është vlerësimi i një panorame më të qartë në lidhje me ndryshimet cilësore të shërbimit të furnizimit te energjisë elektrike në mënyrë të pandërprerë dhe uljes së numrit të ndërprerjeve të paplanifikuara.

Në kushtet e kësaj praktike të raportimit periodik të të dhënave mbi verifikimet e matësve Enti ka kërkuar që OSSH të propozojë ndryshime në aktet ligjore të miratuara që mund të lehtësojnë apo përmirësojnë këtë aspekt.

“Grupi i punës pasi analizoi të dhënat e disponuara rekomandoi që OSSH sha të paraqiste propozime konkrete për ndryshime në aktet rregullatore të brendshme, marrëdhënien me FSHU, apo aktet nënligjore të miratuara nga ERE, me qëllim përmbushjen e detyrimeve ligjore në mbrojtje të të drejtave të klientëve të energjisë elektrike për një shërbim cilësor, sipas procedurave të miratuara dhe në afate, të verifikimit të matësave”, thuhet në raport.

Ky dokument raporton edhe faktin që nga ana e kompanisë publike të shpërndarjes po punohet për instalimin e matësve inteligjentë. Operatori i rrjetit të Shpërndarjes, ka instaluar në rang vendi 5760 matësa inteligjentë, një pjesë e të cilëve të lidhur me konsumatorët, e disa prej tyre të lidhur me fiderat kryesorë të furnizimit në zona të caktuara/Monitor

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here