Sapo ka nisur Kuvendi Kombëtar i 30 prillit. Delegate pjesëmarrëse dhe ish-kandidate për deputete e qarkut Tiranë, Lediana Fratari sipas axhendës së publikuar me anë të fjalimit të saj ka hapur Kuvendin Kombëtar duke përmendur disa aspekte të rëndësishme të Partisë Demokratike dhe gjendjes politike në Shqipëri.
Në qendër të fjalimit të saj, ajo përmendi shpopullimin e popullsisë nga të rinjtë të cilët për shkak të gjendjes jo të mirë ekonomike dhe korrupsionit vendosin të braktisin Shqipërinë, por përmendi edhe rolin e PD për t’i dhënë fund këtij fenomeni.
Pjesë nga deklarata e saj:
“Të dashur delegatë! Të ftuar, anëtarë të Partisë Demokratike. Ju uroj mirëseardhjen në këtë Kuvend të jashtëzakonshëm dhe historik të partisë tonë. Unë jam Lediana Fratari, delegate, ish-kandidate për deputete e qarkut të Tiranës në zgjedhjet e 2021-t. Për mua është nder dhe privilegj tju drejtohem juve në këtë sallë dhe të gjithë demokratëve shqiptarë. Këtu sot ka burra dhe gra që kanë rrugëtuar bashkë me Partinë Demokratike që nga dita e lindjes së saj. Kjo partika shumë nevojë për kontributet tuaja sot, ndaj unë edhe në emër të familjes sime të përndjekur politikisht nga diktatura përulem me respekt të madh për punën tuaj. Familja dhe babai im që u burgos nga komunizimi kontribuoi për ndërtimin e PD, ngriti biznesin e tij dhe investoi në Shqipëri. Unë u ktheva nga Anglia ku u shkollova, kështu kanë vepruar dhe shumë të rinj të tjerë që unë njoh të angaazhuar apo jo në politikë. Kështu kanë vepraur edhe shumë të tjera që janë pjesë e PD. Partia Demokratike është vetë historia politike 30 vjeçare në këtë vend. Ajo ka meritën dhe përgjegjësinë se për çfarë është bërë mirë apo keq në këtë vend pavarësisht n.q.s ka qenë në qeveri apo në opozitë. Sot 30 vjet pasi në këtë logo u zhvilluan beteja të mëdha politike që anëtarësuan Shqipërinë në NATO apo hoqën vizat, sërish shqiptarët janë me valixhe në duar duke e braktisur vendin e tyre. Sërish, Shqipëria është vendi më i varfër e më i korruptuar në Europë. Për këtë arsye, unë mendoj se politikanët në këtë vend u detyrohen shumë shqiptarëve. Edhe ne demokratët duhet të kemi kurajon dhe t’i shikojmë shqiptarët në sy e t’ju kërkojmë ndjesë për çfarë nuk kemi bërë mirë me veprimet apo mosveprimet tona. Ky Kuvend është historik për shumë arsye. Misionin që ka, kohën në të cilën zhvillohet dhe epokën e re që do të çelë për PD, por më shumë se kaq unë do të doja të veçoja faktin se për herë të parë çdo delegate i ulur në këtë sallë është sot i zgjedhur me votë, sepse ky është Kuvendi i vërtetë i demokratëve. Ky është vullneti i shumicës së anëtarëve të PD. Ky është produkt i votës dhe i demokracisë së vërtetë të një partie. Partia jonë ka kaluar dhe po kalon një periudhë të vështirë. Ne po paguajmë një kosto jo të vogël të gabimeve që kemi bërë si organizatë politike.”