Deputeti i PD, Oerd Bylykbashi në fjalën e tij në Kuvendin Kombëtar tha se partia ka të nevojshme që të projektohet lidershipi që do e çojë në fitore PD-në.
“Bazuar te tradita, eksperienca, parimet e lirisë, duhet të projektojmë jo thjesht liderin por lidershpin e 10- 15 viteve të ardhshme, një gjeneratë drejtuesish që marrin përsipër sfida e përgjegjësi e japin llogari para jush.
Kemi eksperiencën e themeluesve, qëndrestarëve dhe energjinë e të rinjve. Kjo sinergji është garanci për të ardhmen e kësaj partie. Sot duhet të projektojmë lidershipin që na çon në fitoren e 2023, 2025, që do na kthejë në rrugëtimin tonë evropianë”, tha ai.
Duke dhënë një përgjigje për deklaratat e Enkelejd Alibeajt, Bylykbashi tha: “Ne besojmë te parimet e kushtetutës amerikane, tek karta evropiane e te drejtave të njeriut e ky është pro amerikanizmi ynë”.
Ndërsa nuk la pa përmendur edhe momentin kur Basha vendosi të përjashtojë nga grupi parlamentar Sali Berishën.
“Deri më 9 shtator 2021 po ecnim symbyllur drejt një ure të rrezikshme përtej së cilës partitë njihen me emrin e kryetarit, përtej asaj ure vdes demokracia e mbretëron kryetarokracia. Për fat hapëm sytë e gojën në kohë e u shmangëm nga ajo urë. S’mund ti falim sërish liritë që fituam te foltorja apo 6 marsi. Po i mbyllëm sytë e gojën sërish do i drejtohemi asaj ure ku partitë njihen me emrin e kryetarit. Nuk kemi më kohë për gabime të përsëritura”.