30 prilli ishte një Kuvend i suksesshëm për PD”. Kështu u shpreh ish ministri i Jashtëm Besnik Mustafaj në një intervistë në Radarin Informativ në Abc teksa foli për zhvillimet e fundit në Partinë Demokratike.
“Kuvendi i 30 prillit ishte Kuvend i suksesshëm. U rikthyen të përjashtuarit pa kushte. Objektivi i kuvendit të 11 dhjetorit u realizua. S’i vuri kushte as Hajdarit dhe as Murrizit që e dëmtuan luftën e PD duke votuar disa ligje të qeverisë ndesh me opozitën. Berisha dhe Komisioni i Rithemelimit dhe pastaj Kuvendi i 30 prillit i pranuan këto njerëz dhe personalitete pa kushte”.
Rikthimin e “xhaketave të vjetra” në PD, Mustafaj e shikon pozitivisht. “U rikthyen pak, duhet të ishin rikthyer më shumë mendoj unë. Sot opozita është në një moment delikat. Qoftë në përballje me qeverinë apo dhe në përpjekje për bashkimin e saj.Balanca që u caktua që 50% të vijnë nga forumi rinor dhe nga lidhja demokratike e gruas. Mund të kishte më shumë të vjetër për përvojë. Mua më duket një qëllim i mirë që u arrit pjesërisht”.
Sipas ish-ministrit, nga ky Kuvendi ish-kryeministri Sali Berisha ka dalë më i fortë.
“Berisha ka dalë më i fortë. Ai tha vetë se bashkimi është bashkimi i demokratëve. Pas këtij Kuvendi PD do të ketë strukturat e saj drejtuese.
Berisha doli më i fituar sepse e para u konfirmua bashkë me procesin e regjistrimit të anëtarësisë së PD dhe u konfirmua se është një shumicë e anëtarëve e përfshirë në Komisionin e Rithemelimit. Doli më i fortë se PD nga e shthurur në struktura organizative ka disa struktura deri në këshillin kombëtar, i cili do zgjedhë dhe nënkryetarët e partive. Kemi një grup ku është anëtarësia dhe një tjetër ku janë dhe 30 deputetë. PD e përbën baza. Dhe këta deputetë duhet të kujtojnë se janë ata që duhet të shkojnë te baza. Berisha dhe grupi që po organizon zgjedhjet për kryetarin e ri të PD. Deputetët duhet të shkojnë njëri pas tjetrit ose të themelojnë një parti të tyre”.
I pyetur se nëse Gjykata e Apelit i jep të drejtë ankimit të Enkelejd Alibeajt dhe jo Rithemelimit për drejtimin e partisë, Mustafaj tha se Rithemelimi s’ka ndërmend që ta dorëzojë selinë blu.
“Rithemelimi nuk del më nga selia ne PD. S’ka asnjë shans të tillë. Kauza që ata përfaqësojnë nuk është çështje vule e firme. Juristët më kanë thënë se është non-sens juridik apelimi i Alibeajt. PD Nuk ka palë tjetër, ka paraqit kërkesën, është njohur dhe miratuar. Berisha dhe bashkëpunëtorët e tij janë e sotmja e PD”.