Banorët e zonës së “Kodra e Priftit” në Tiranë i janë rikthyer protestave sot për shtëpitë që u rrezikohen të shemben për shkak të devijimit të Lotit të 4 të Unazës së Madhe.
Banorët ndihen të mashtruar, pasi bashkia por dhe ARRSH i kanë garantuar se banesat do t;ua legalizojnë dhe se nuk do të preket asnjëra, ndërkohë që sot u thonë që ato do të shemben.
E gjithë kjo ndodh kur përkrah shtëpive, ka troje të lira ku mund të zbatohet projekti pa dëmtuar askënd.
Sipas banorëve, qeveria nuk pranon që segmenti rrugor të devijohet në atë truall bosh pasi është në pronësi të një oligarku.
“Këtu kemi një tokë bosh. Nuk kemi ne pse të kërkojmë dëmshpërblimin, kur këtu ka një tokë bosh. Apo është e një oligarku ajo dhe nuk e prekin dot?! Ne kemi shtëpinë tonë. Të dëmshpërblejë këto 7 shtëpi dhe të devijohet rruga”, tha një protestues.
Një tjetër vërejti: “Unë e kam blerë tokën me lekë edhe nuk e mora kështu, por e mora në atë gropën atje. Shpirti im e di si, thamë se do të legalizoheshim edhe ne dhe ikën 22 vite pa u legalizuar.
Më vjen keq që dëgjova Veliajn që tha se sa të jem unë dhe Rama, rrugët nuk ndryshojnë. Po mire, kur ia dhamë votën i pëlqeu atij?! E mori çunin të mbledhë njerëzit. Na premtoi me garanci se do të dëmshpërbleheni, ua jap me garanci. Po si nuk na ka ardhur një njëri?! Nuk e di si e vlerësojnë ata. Kur jam ankuar tek Avokati i Popullit, dhe më kanë sjellë letrën që më kap rruga. Ne duam që projekti të shkojë ku ka qenë. Vota nga ne nuk presin më. Edhe kalamajtë që janë kokë e këmbe më Edi Ramën, mos ta votojnë!”