Në Ditën e Bajramit, kryeministri Edi Rama ishte në Thumanë ku dorëzoi 150 shtëpi për banorët që humbën banesat e tyre në tërmetin e 26 nëntorit 2019.
Edhe pse banesat janë rezultat i donacioneve të shqiptarëve, kreu i qeverisë nuk e shmangu dot politizimin e këtij përurimi, duke mos kursyer batutat thumbuese për kundërshtarët gjatë fjalës së tij.
Shtëpitë do ti gëzojnë të gjithë, të majtë e të djathtë, u tha ai banorëve, duke i këshilluar të mos i heqin bravat njëri-tjetrit.
Rama: Sot është vendi i rilindjes në kuptimin më të vërtetë të fjalës, i rilindjes për të gjithë pa dallim, edhe për ata që votojnë majtas, edhe për ata që votojnë djathtas, dhe për ata që falen dhe për ata që nuk falen, për ata që falin dhe për ara që nuk të falin. Është për të gjithë dhe sigurisht, demokratëve që nuk janë të paktë këtu në Thumanë. Të më falë Elvisi, por unë nuk i heq dot nga fjalimi këto. I uroj t’i gëzojnë shtëpitë njësoj si të tjerët, i kanë falas dhe të mos i heqin bravat njëri-tjetrit por të respektojnë njëri-tjetrin sepse në fund të ditës, pavarësisht se çfarë bëjnë partitë, pavarësisht se nga shkojnë e nga vijnë qeveritë, mbetet njerëzillëku, mbetet komuniteti dhe mbetet mirësia që i detyrohemi njëri-tjetrit si njerëz.