Në dhjetor të vitit 2019 autoritetet italiane zhvilluan një nga operacionet më të mëdha kundër familjes mafioze Ndragheta. Pas një hetimi që kishte përfshirë mbi 430 persona, u vunë në pranga 334 prej tyre. Në pranga ranë edhe 4 shqiptarët: Robert Lazaj, Lulëzim Shkurtaj, Eduart Tahiraj (i njohur dhe me emrin Dhimitër Lutaj) dhe Floriand Tahiraj.
Ata akuzoheshin si sigurues dhe furnizues të klaneve mafioze të zonës së Vibortese me kanabis nga “vendi i shqiponjave”. Ata që e siguronin drogën në Shqipëri ishin Lulëzim Shkurtaj, Eduart dhe Florind Tahiraj ndërsa Robert Lazaj mbante lidhjet me klanet mafioze italiane. Kjo edhe sipas skemës që ka ndërtuar Guardia di Finanza e Firences.
Pse u rikthyen tani në skenë këta emra?
Shkak është bërë Antonio Guastalegname, njëri prej të arrestuarve që vendosi të pendohet dhe të zbulojë të gjitha lidhjet dhe skemën e funksionimit të mafies kalabreze. Ai nxori në dritë emra e ngjarje mbi rrjetin e trafikut të kokainës nga Brazili dhe marijuanës nga Shqipëria drejt Italisë. 54-vjeçari përmend Valerio Navarrën, një person shumë i afërt me bosin e drogës Antonio Giuseppe Açorint, por që sipas tij kishte lidhje edhe me shqiptarët pasi ishte një ndërmjetës.
Guastalegname thotë se Navarra kishte mbështetjen e qeverisë shqiptare dhe se kishte arritur të korruptonte ministrin e Drejtësisë ose atë të Brendshëm.
“Navarra kishte kontakte me subjektet shqiptare. Ai kishte mbështetjen e qeverisë shqiptare. Nëse më kujtohet mirë subjekti i korruptuar ishte ministri i Drejtësisë ose i Brendshëm ose në çdo rast një figurë e rëndësishme politike shqiptare” – dëshmoi ai.
Bashkëpunëtori i drejtësisë thotë se këto lidhje i kishte mësuar nga Robert Lazaj të cilin e konfirmoi edhe pasi ka parë foton e tij. Guastalegname thotë në dëshminë e tij të publikuar nga mediat italiane se Robert Lazaj i prezantohej si familjar i afërt i ministrit të qeverisë shqiptare e që garantonte sigurinë e këtyre trafiqeve.
“Konfirmoj se ky është personi të cilit i referohesha dhe është i afërmi i ministrit të qeverisë shqiptare që ka siguruar mbulimin e këtyre trafiqeve” – shton Guastalegname, citon lapsi.al.
Nuk dihet se për çfarë periudhe flet dëshmia e të penduarit të drejtësisë dhe as se për cilin ministër shqiptar.
“Më propozoi të shisja drogë direkt, pa ndërmjetës. Për të më joshur ai më nënvizoi lehtësinë me të cilën ata mund të organizonin transportimin e drogës prej mbështetjes së qeverisë shqiptare, në sajë të së cilës ata mund të përballonin ngarkesa të mëdha pa frikë nga kontrollet”, – ka dëshmuar ai.
Dëshmia e tij i shtohet akuzës së lidhjeve të kësaj mafia me krimin e organizuar shqiptar në trafiqet e drogës si dhe në shërbimin që i bëhej nga individë të korruptuar në nivel të lartë e brenda qeverisë shqiptare.
Mega-procesi ka vënë në arrest në Itali jo vetëm trafikantë armësh e droge e bosa të mafias, por dhe ish-deputetë dhe përfaqësues të politikës lokale kalabreze nga forca të ndryshme. Në pranga kanë rënë edhe 2 avokatë dhe 2 drejtues të policisë. 58 prej të arrestuarve morën statusin e të penduarit të drejtësisë./lapsi.al