Topalli: Nuk e kam menduar asnjëherë që të bëhem kryetare e PD

0
165

Ish-nënkryetarja e Partisë Demokratike, Jozefina Topalli, gjatë një interviste televizive është pyetur nëse ka ambicie për të qenë kryetare e partisë.

Ish-nënkryetarja e selisë blu dhe ish-kryeparlamentarja Topalli tha se nuk e ka menduar asnjëherë në jetën e saj këtë.

‘Jo nuk e kam menduar asnjëherë në jetën time për t’u bërë kryetare e partisë. Unë kam menduar gjithmonë që të them të vërtetat të një realiteti që kjo forcë politike ka kaluar gjatë këtyre tre dekadave. Ka një histori dhe një trashëgimi shumë të veçantë për të cilën nuk ka pse mos të jemi krenarë, ashtu sikurse ka kaluar 10 vitet e fundit, vite që nuk e nderojnë atë’, u shpreh Topalli për KlanNews.

Po ashtu ajo shtoi se nuk ka menduar asnjëherë as për postet e tjera në parti.

‘Jo, jo! Nuk e kam menduar një gjë të tillë. E kam thënë dhe e përsëris prapë. Qoftë nga historia personale kam mësuar se nuk është nevoja për të qenë në poste drejtuese apo për të qenë në parlament për të bërë beteja apo për të thënë disa të vërteta për të cilat shumë gjatë dhe shumë njerëz kanë heshtur. Unë kam thënë do vijoj të jem vetja ime, dhe do vazhdoj të jem vetja ime, sigurisht një mbështetëse e patundur e besimeve të atyre parimeve që i kam thënë prej kohësh’, tha Topalli.

Më tej ish-kryeparlamentarja theksoi se Berisha është, ‘I vetmi njeri që ka bërë ‘mea culpa’ nga qyteti në qytet’.

Po ashtu ajo nuk mohon që të tregojë emocionet në Kuvendin e PD-së më 30 Prill.

‘Ngritja në këmbë e sallës gjatë Kuvendit kur unë u ngrita me shumë emocion të them të drejtën ka qenë gjëja më unike që kam përjetuar ndonjëherë’, tha Topalli.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here