Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shkarkoi sot nga detyra prokurorin e Durrësit Arjan Ndoja bazuar në gjetjet e komisionit vetëm për kriterin profesional dhe pastërtinë e figurës.
Drejtuesi i seancës, theksoi se procesi i rivlerësimit u zhvillua në kriterin profesional dhe atë të patërtisë së figurës ku mesa duket gjetjet e hetimit kanë penalizuar prokurorin.
Pas vendimit, Arjan Ndoja la të kuptohej se e priste shkarkimin ndërsa shtoi se do ti adresohet Gjykatës Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut
“Do pres një biletë për Strasburg. Pas bubullimave shiu pritet” tha ai.
Në seancën paraprake KPK evidentoi se Arjan Ndoja ka cënuar besimin e publikut tek drejtësia duke mbajtur dosjet që hetonte në makinë, të cilat u gjetën pas atentatit ku prokurori mbeti i plagosur në vitin 2019. Po kështu element penalizues i gjetur ishte shoqërimi i prokurorit me persona me precedent penalë dhe të dënuar, përfshirë edhe shtetasin me të cilin ndodhej në makinë ditën e atentatit më 1 nëntor 2019.