Ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim ka reaguar pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama drejtuar prokurorëve të SPAK-ut për të hetuar ish-kryeministrin Sali Berisha dhe presidentin Ilir Meta.
Gjatë një konference të KLGJ-së, ambasadorja Kim tha se drejtësia nuk mund të funksionojë me urdhra apo porosi.
“Ky nuk është standardi që kërkohet”, u shpreh ambasadorja Kim, duke shtuar se “prokurorët nuk mund të veprojnë kur i urdhëron, porosit apo kërcënon dikush”.
“Sipas normave dhe praktikave të miqve tuaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dhe miqve të ardhshëm Bashkimit Europian, Reforma në Drejtësi quhet e suksesshme kur të mos kemi më gjyqtarë dhe prokurorë të papërshtatshëm. Do të quhet normale kur politikanë, në apo jashtë fuqisë, të mos kërkojnë hetimin e këtij apo atij. Këto nuk janë standardet që kërkojmë të arrijmë në Shqipëri. Këto nuk janë standardet që kërkojnë shqiptarët kur flasin për reformën në drejtësi. Duhet një drejtësi, ku drejtësia është e verbër, të gjithë janë të barabartë para ligjit. Kur veprojnë prokurorët, nuk duhet ta bëjnë se i ka kërcënuar dikush, i ka porositur dikush apo u ka dhënë para dikush”, u shpreh ambasadorja Kim.
Dy ditë më parë, gjatë Asamblesë së Partisë Socialiste, kryeministri Edi Rama shantazhoi hapur SPAK-un duke kërkuar prej tyre hetimin e ish-kryeministrit Berisha dhe presidentit të Republikës, Ilir Meta.