Kryeministri Edi Rama thotë se Shqipëria do të ndryshojë tërësisht kurs dhe do të kërkojë ndarjen nga Maqedonia e Veriut nëse nuk hapen negociatat me Bashkimin Europian.
Nga Brukseli ku ndodhet për vizitë zyrtare, Rama tha në një intervistë se Bullgaria po mban peng negociatat për Maqedoninë e Veriut, e për rrjedhojë po penalizohet edhe Shqipëria që është në të njëjtin proces.
Zoti kryeministër, morëm sinjale pozitive nga takimi i mbrëmshëm që patët ju me zotin Borell, sa i takon një vendimmarrjeje të mundshme në 6 Qershor për Shqipërinë?
Kryeministri Edi Rama: Tani situata dihet dhe të përsërisim atë që vazhdon të përsëritet mbase nuk ia vlen. Megjithatë, po e përsërisim që është shumë e qartë që për Shqipërinë opinioni është tejet pozitiv, ne presim një tjetër raport-progresi dhe jemi të bindur që do jetë edhe më pozitiv për shkak se shumë gjëra kanë ndodhur dhe janë të gjitha në drejtimin e duhur. Imazhi i Shqipërisë është komplet tjetër sot në çdo aspekt. Shqipëria konsiderohet një model për rajonin, jo vetëm këtu, por dhe në Hagë është shumë e qartë kjo gjë.
Megjithatë, dje biseda është përqendruar tek situata social-ekonomike, si rezultat i pasojave të luftës dhe për hir të vërtetës, nëse do kishim mundur ta ndanim me opinionin publik në Shqipëri atë bisedë, do kishim dëgjuar vërtetë situata shumë më problematike sesa situata jonë, në aspektin e qëndrueshmërisë financiare, në aspektin e financimit të mëtejshëm të ekonomisë, në aspektin e inflacionit e kështu me radhë.
Sa i përket pjesës tjetër, ne jemi në pozicionin që dihet, do presim dhe presidencën franceze. Këtu çështja është tek Bullgaria që ka marrë peng Maqedoninë dhe që si rezultat, ka bërë që ne të jemi peng i një ngërçi të madh që ne nuk kemi lidhje fare.
Ndërkohë, besoj që të gjithë e kanë të qartë që kjo situatë nuk mund të vazhdojë më gjatë. Megjithatë, ne do të ndryshojmë menjëherë kurs, siç e kemi thënë dhe siç e kemi marrë nga Këshillimi Kombëtar në rast se nuk do të kalojë në fazën tjetër vendi ynë për t’u ulur formalisht në tryezë për negociata.