Një përplasje u shënua në Kuvend mes disa deputetëve demokratë. Ata akuzojnë Gazment Bardhin se po përhap shpifje se njëri prej tyre ka në pronësi një vilë me vlerë 760 mijë euro.
Pas përplasjes, Bardhi bëri një postim ku shkruan se pas debateve, vlera e vilës është ulur në 670 mijë euro, por pa thënë se e kujt është vila.
Kurse deputeti Tritan Shehu tha se këto janë inskenime perverse të Bardhit.
“Inskenime të pista, perverse të Gaz Bardhit!
Është vepër antiligjore, përveçse ndesh dhe me çdo normë morali, transparence, “burrërie”, të përhapesh aludime e meskinitete për kolegët në publik e media.
Këtë po bën dhe Gazi prej disa ditësh, duke arritur kulmin mbrëmë, kur ngushton rrethin e te “akuzuarve” prej tij në 3-5 deputetë, përfshi dhe mua.
Dhe këtë e bën një deputet, ish-ministër i drejtësisë, pseudo-jurist në fakt ai.
Me këtë rast dëshiroj t’i kujtoj këtij individi, pa as minimumin e personalitetit dhe integritetit se:
1-Është detyrim ligjor për çdo qytetar, veçanërisht deputet, të denoncojë në organet përkatëse çdo vepër kriminale që di, dhe mos ta përdorë për të hedhur aludime dyshuese, shpifjeje për koleget.
Në rast se realisht ai di një vepër të tillë, siç deklaron dhe nuk e denoncon, akuzohet për fshehje krimi, gjë për të cilën duhet thirrur nga organet e drejtësisë e dënuar ligjërisht.
2-Ndërsa në lidhje me përgjegjësitë morale e më gjerë të tij për shpifje, gënjeshtra etj, besoj se nuk ka ndonjë arsye për të humbur kohe duke ia kërkuar.
Ato mund t’i kërkohen vetëm dikujt që ka ndonjë vlerë morale, gjë që siç duket te Gazi mungojnë krejtësisht.
Një akt i turpshëm e pervers ky i këtij “burreci”!” shkruan ai.