Fytyra e vërtetë e aksit Beograd-Tiranë

0
231

 

Nga Cim Peka

Në harkun kohor të një jave Edi Rama është shprehur se krimet e luftës së Serbisë në Kosovë ishin ‘një sherrnajë’; është takuar në ‘mënyrë vëllazërore’ me liderin serb të Bosnjës, Milorad Dodik, ky tipi i shpallur person non-grata dhe i sanksionuar nga Departamenti Amerikan i Thesarit ‘për cenim të stabilitetit në rajonin e Ballkanit Perëndimor’; ka kërcënuar hapur Bashkimin Europian se Shqipëria do të kthehet nga Lindja se ‘kështu ia kishin kërkuar qytetarët shqiptarë në anketimin e quajtur Bashkëbisedim me Popullin’; si dhe rrëzoi nismën e opozitës për miratimin e një Rezolute që do dënonte gjenocidin serb në Bosnjë dhe Hercegovinë.

Reagimi i opinionit publik të brendshëm dhe rajonal, sidomos në Kosovë dhe Bosnjë Hercegovinë, ishte nuklear. Cicërimat e Ramës në Twitter ishin, siç parapëlqen të shprehet vetë Rama, ‘fjalë të nxjerra nga zorra’.

Irritimi i Ramës është i kuptueshëm, për faktin e thjeshtë se ai, me një lëvizje politike prej një politikani race të Sali Berishës, ra në kurthin nga nuk dilte dot.

I mësuar me shahun politik, si lojë e parapëlqyer karshi ish-opozitës, Edi Rama u zgjua ditën e djeshme i vetëdijshëm që ishte i zënë shah-mat. Nuk e di se sa i bindur ka qenë Sali Berisha se Rama do ta rrëzonte projekt-rezolutën, por ky i fundit e ka ditur që sido që të urdhëronte partinë e vet prej eunukësh, ai ishte i kapur në qark. Nëse do të votonte kundër (siç bëri) do të dilte hapur si kukull e qeverisë serbe në Tiranë; kurse nëse do të votonte pro rezolutës, do të zhgënjente Beogradin dhe do të shkatërronte të gjithë investimin diplomatik 9-vjeçar në shërbim të Beogradit.

Lëvizja e Sali Berishës nuk ishte vetëm kurth. Në të njëjtën kohe, ai i dha Edi Ramës një mundësi të artë për t’u pozicionuar aty ku i takon një qeverie shqiptare. Mundësi, të cilën Rama natyrshëm e humbi për shkak të çarkut të ngritur në Beograd.

Porse duhet të jemi të qartë, lidhja e Tiranës socialiste me Beogradin e çfarëdo lloj ngjyre nuk është ekskluzivitet i vetëm Edi Ramës apo i Partisë Socialiste. Është një histori 82-vjeçare që fillon me Enver Hoxhën, vazhdon me Ramiz Alinë, pastaj me Fatos Nanon për të mbërritur tek Edi Rama.

Vota e djeshme nuk është një njollë për Shqipërinë, por për Edi Ramën, Partinë Socialiste dhe qeverinë e tyre. Fundja, njëra palë politike donte që të dënonte gjenocidin serb në Bosnjë, ndërsa pala tjetër nuk donte. Për Edi Ramën dhe partinë e tij, ashtu si dhe në Kosovë, lufta dhe gjenocidi serb në Bosnjë nuk ishte gjë tjetër veçse një sherrnajë.

Nga ana tjetër, argumenti mbrojtës se vota kundër ishte për shkak se e propozoi Sali Berisha, nuk tregon gjë tjetër veçse një mënyrë për të thënë që nuk na lejon Serbia.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here