Të tjera detaje dalin në dritë në lidhje me plagosjen e Ardit Kërtushës, i cili ka qenë kandidat për kryetar të PS-së në Durrës. Mësohet se ai u plagos në një lokal.
Kujtojmë se në zgjedhjet lokale të 2020-ës, Kërtusha kandidonte për kreun e PS-së në qytetin bregdetar, por krejt papritur ai u tërhoq nga gara.
Asokohe, përmes një letre publike, Kërtusha me tone të ashpra kritike për procesit tha se nuk zbatohej statuti i partisë, më saktë parimi; një anëtar një votë. Mes të tjerash ai lëshoi akuza dhe në drejtim të ish-kryebashkiakut të Durrësit, Vangjush Dako.
“Ka shumë ndërhyrje nga më të paimagjinueshmet që zgjedhjet në Durrës të mos zhvillohen por të emërojnë edhe një herë në krye të degës marionetën e preferuar të Vangjushit. Fushata ime në kryefjalë të saj kishte përfaqësimin e të gjithë socialistëve durrsakë dhe kush më mirë se një anëtar një vote mund ta mundësojë këtë përfaqësim? Lobuam shumë që ta bënim të mundur por e kotë.” shkruante Kërtusha në letrën e tij. Në fushatën zgjedhore të 25 prillit të vitit 2021, Kërtusha iu bashkua PD-së dhe u shfaq në disa takime elektorale përkrah drejtuesve lokalë të PD.
NJOFTIMI I POLICISE
Rreth orës 13:00, në lagjen nr.1 Durrës, dyshohet se gjatë një konflikti të çastit, për motive të dobëta, është plagosur me armë zjarri, në këmbë, shtetasi A. K., 31 vjeç, i cili ndodhet nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.
Vijon krehja e zonës, për identifikimin dhe kapjen e autorit.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.