Specialja sot shpall vendimin për Gucatin dhe Haradinajn

0
141

Dhomat e Specializuara në Hagë do të shpallin vendimin më 18 Maj për dy drejtuesit e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), Hysni Gucati dhe Nas im Haradinaj.

Seanca, ku do të shpallet vendimi, është paraparë të nisë në ora 10:00. Gucati dhe Haradinaj akuzohen nga Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, përkatësisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje si dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Nëse gjenden fajtorë për veprat që rëndojnë ndaj tyre, ZPS-ja ka kërkuar që ata të dënohen me gjashtë vjet burgim dhe gjobë prej 100 eurosh për gjithsecilin.

Gucati dhe Haradinaj u arrestuan në shtator të vitit 2020, pas dyshimeve se në disa konferenca për media në selinë e OVL-UÇK në Prishtinë kanë shpërndarë dokumente të klasifikuara të Dhomave të Specializuara, që njihen edhe si Gjykata Speciale.

Në aktakuzë thuhet se këto dokumente, kopje të të cilave u janë shpërndarë gazetarëve, kanë pasur edhe emra të dëshmitarëve potencialë, të cilët mund të dëshmonin kundër ish-krerëve të UÇK-së, përfshirë edhe në rastin kundër ish-presidentit, Hashim Thaçi, ish-kryetarëve të Kuvendit, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, dhe ish-deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, të cilët akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

OVL e UÇK-së ka thënë se këto dokumente i ishin dërguar kësaj organizate nga një person anonim. Fillimisht, Gjykata Speciale nuk kishte konfirmuar autenticitetin e dokumenteve, por në procesin gjyqësor iu referua atyre si “dokumente zyrtare” të këtij institucioni.

Gucati dhe Haradinaj janë deklaruar të pafajshëm dhe kanë thënë se nuk kanë bërë asnjë shkelje ligjore. Gjatë gjykimit, ata e kanë cilësuar Gjykatën Speciale si “gjykatë njëetnike”, synim ka vetëm “dënimin e shqiptarëve”, ndërsa amniston, sipas tyre, kimet e kryera nga forcat ushtarake e policore serbe në Kosovë.

Si ka rrjedhur gjykimi?

Që nga fillimi i gjykimit ndaj Gucatit dhe Haradinajt janë paraqitur 14 dëshmitarë.

Katër janë propozuar nga ZPS-ja, 6 nga Hysni Gucati, 4 nga Nasim Haradinaj. Numri i dëshmive me shkrim, ndërkaq, ka qenë 18. Dymbëdhjetë janë propozuar nga mbrojtja e Gucatit dhe gjashtë nga mbrojtja e Haradinajt.

Në këtë proces gjyqësor kanë dëshmuar gazetarë, punonjës të zyrës qendrore të OVL-UCK-së, ish-drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, si dhe zyrtarë të ZPS-së dhe të Dhomave të Specializuara.

Si prova kryesore në këtë rast janë paraqitur video-incizimet e zyrës së OVL-UÇK-së, në të cilat Gucati e Haradinaj shihen duke mbajtur konferenca për media dhe duke prezantuar, siç është thënë, dokumente konfidenciale para gazetarëve. Në disa raste, ata akuzohen se kanë dhënë informacione tejet të ndjeshme për dëshmitarë të mbrojtur.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale – hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty.

Aktakuza në pika të shkurtra

Në aktakuzën e ZPS-së thuhet se nga data 7 deri më 25 shtator, 2020, me rastin e tri konferencave për shtyp dhe ngjarjeve të tjera të transmetuara, si dhe përmes shpërndarjes së mëtejshme, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj kanë zbuluar, pa autorizim, informacione të mbrojtura me Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, duke përfshirë detajet identifikuese të disa dëshmitarëve (të mundshëm).

Të akuzuarit gjithashtu kanë bërë akuza dhe vërejtje përçmuese ndaj dëshmitarëve (të mundshëm) dhe vazhdimisht kanë shprehur synimin e tyre për t’i zhbërë Dhomat e Specializuara.

Akuzat përfshijnë dy vepra penale kundër rendit publik, përkatësisht pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, si dhe katër vepra penale kundër administrimit të drejtësisë dhe administratës publike. Këto akuza janë kanosje gjatë procedimit penal, hakmarrje dhe shkelje e fshehtësisë së procedurës./REL

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here