Zëri i Amerikës ka pasqyruar aktivitetin e një grupi veprimtarësh, studiuesish dhe ekspertësh të historisë dhe arkeologjisë shqiptare, të cilët shpallën krijimin e Aleancës për Mbrojtjen e Butrintit.
Të nxitur nga mos transparenca e qeverisë shqiptare mbi këtë pasuri të madhe kombëtare, veprimtarët dhe ekspertët e njohur kanë kërkuar që autoritetet të veprojnë me kujdes dhe profesionalizëm shkencor në një zonë delikate me vlera të mëdha si Parku Kombëtar i Butrintit.
Artikulli i VOA
Sot në Tiranë një grup veprimtarësh, studiuesish dhe ekspertësh të historisë dhe arkeologjisë zhvilluan një tubim ku shpallën krijimin e Aleancës për Mbrojtjen e Butrintit.
Ata thanë se do të bëjnë çdo përpjekje për të ruajtur të paprekur këtë zonë të rëndësishme të historisë dhe të trashëgimisë kulturore.
Pjesëmarrësit pohuan se qeveria nuk u ka marrë ndonjë mendim profesional për menaxhimin e Parkut të Butrintit, dhe sipas tyre, autoritetet nuk kanë zhvilluar as dëgjesa publike, sic kanë pretenduar.
Aleanca për Mbrojtjen e Butrintit, pohuan organizatorët, është një aleancë qytetare, që synon të nxitë autoritetet që të veprojnë me kujdes dhe profesionalizëm shkencor në një zonë delikate me vlera të mëdha si Parku Kombëtar i Butrintit.
Qeveria miratoi një marrëveshje me Fondacionin Shqiptaro- Amerikan të Zhvillimit për menaxhimin e Parkut Kombëtar të Butrintit në 10 vitet e ardhshme, sipas një plani, që parashikon mbrojtjen e Parkut dhe financimin nga AADF 5 milionë dollarë për këtë qëllim.