“Murinjo, me fat që do të luajë në Tiranë”, De Biazi: Finalja e “Air Albania”-s do të kujtohet gjatë sepse…

0
162

Kërkesa për bileta në finalen e Ligës së Konferencës Roma-Fejnord më 25 maj ka marrë përmasa të frikshme. Jo vetëm për italianët dhe holandezët, por edhe shqiptarët që kanë një lidhje sportive me Shqipërinë janë ndeshur së fundmi me pyetjen: “Si mund të gjejmë një biletë?” Po shqiptari Xhani de Biazi sa telefonata ka marrë për një biletë? “Ka qenë një periudhë e mbushur me shumë kërkesa, por harrojnë që unë nuk jam më te Shqipëria… (qesh). Megjithatë, i gjeta dy bileta për një trajner shumë të famshëm që do të vijë në Tiranë. Emrin nuk jua them”, thotë ekskluzivisht për “Panorama Sport” ish-trajneri i Shqipërisë që tashmë zotëron edhe pasaportën e vendit tonë. Ai e pohon se Murinjo është me shumë fat që Roma do ta luajë këtë ndeshje në Tiranë.

De Biazi, ç’mendim keni për finalen që do të luhet më 25 maj në Tiranë?

Është shumë pozitive. Mendoj se ka një efekt të jashtëzakonshëm për lëvizjen futbollistike në vendin tuaj, por mbi të gjitha është edhe një “certifikatë” se Shqipëria i ka djegur shumë etapa në sport dhe është në nivelin e vendeve që mund të marrin përsipër edhe një eveniment kaq të rëndësishëm.

Dakord, por finalja e Ligës së Konferencës është…

E vërtetë. Për nga rëndësia është turneu i tretë që organizon UEFA, por gjithsesi mbetet shumë i rëndësishëm dhe shumë i vlerësuar. Pastaj mos harroni, po vijnë dy skuadra realisht të rëndësishme. Roma është një skuadër me nivel të lartë, por edhe Fejnordi ka cilësi dhe histori. Por nuk duhet t’i referohemi vetëm emrit të skuadrave që po vijnë. Duhet të marrim në konsideratë që i është besuar Shqipërisë një finale e tillë dhe kjo tregon besim, por edhe vlerësim për Federatën e Futbollit, shtetin shqiptar dhe investimet e mëdha në futboll që po bëhen aty, ku edhe UEFA është e përfshirë direkt.

A është me fat Murinjo që Roma po e luan këtë finale në Tiranë?

Po, me shumë fat madje. Shqipëria ka një lidhje speciale me Italinë dhe unë e di këtë prej vitesh, sepse e kam përjetuar. Por përveç kësaj aty luan edhe Kumbulla, ndaj jam i bindur se shqiptarët pa dyshim që do të bëjnë tifo për Romën.

Çfarë efekti mund të ketë kjo finale për Shqipërinë e futbollit në të ardhmen?

Shpresoj shumë që gjithçka të shkojë mirë. Së pari, efektet e para dhe të menjëhershme janë ato financiare. Mendoj se do ta ndihmojë Tiranën dhe Shqipërinë një finale si kjo, sidomos pas dy viteve të vështira të pandemisë. Së dyti, do të ndihmojë lëvizjen futbollistike sepse do të kenë nga 26 maji e tutje një eksperiencë të madhe në organizimin e një ndeshjeje tejet të rëndësishme. Është një lloj patente, ma besoni. Dhe e fundit, mijëra fëmijë dhe të rinj shqiptarë do të përjetojnë një atmosferë që do ta mbajnë mend gjatë dhe që do t’i frymëzojë ata për të ardhmen. Do ta duan akoma më shumë futbollin.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here