Pse lia e majmunëve po përhapet në Evropë dhe SHBA?

0
183

Disa raste të lisë së majmunëve janë raportuar ose dyshohen në Britani, Portugali, Spanjë dhe Shtete të Bashkuara.

Përhapja ka ndezur alarmin, sepse sëmundja virale, e cila bartet përmes kontakteve të ngushta dhe është zbuluar për herë të parë në majmunë, shfaqet kryesisht në pjesën perëndimore dhe qendrore të Afrikës, ndërsa vetëm herë pas here diku tjetër.

“Shumë e pazakonshme”
Lia e majmunëve është një virus që shkakton simptoma të temperaturës dhe puçrra të kuqe.

Zakonisht është e lehtë, por ka dy variante kryesore: varianti i Kongos, i cili është më i rëndë – me vdekshmëri deri në 10 për qind – dhe varianti i Afrikës Perëndimore, i cili ka një shkallë të vdekshmërisë në rreth 1 për qind të rasteve.

Rastet në Mbretërinë e Bashkuar janë raportuar si variant i Afrikës Perëndimore.

“Historikisht, ka pasur shumë pak raste të eksportuara. Ka ndodhur vetëm tetë herë në të kaluarën – përpara këtij viti”, thotë Jimmy Whitworth, profesor i shëndetit publik në Shkollën e Higjienës dhe Mjekësisë Tropikale në Londër, duke shtuar se kjo “është shumë e pazakonshme”.

Portugalia ka regjistruar pesë raste të konfirmuara, ndërsa Spanja po teston 23 raste të mundshme. Asnjëra prej tyre nuk kanë raportuar raste më parë.

Shtetet e Bashkuara kanë raportuar, po ashtu, një rast.

Transmetimi
Virusi përhapet përmes kontaktit të ngushtë midis kafshëve dhe, më rrallë, midis njerëzve.

Ai është zbuluar për herë të parë te majmunët në vitin 1958, prej nga ka edhe emrin. Megjithatë, brejtësit shihen tani si burimi kryesor midis kafshëve.

Transmetimi, këtë herë, është duke i habitur ekspertët, sepse një numër i rasteve në Mbretërinë e Bashkuar – nëntë deri më 18 maj – nuk kanë asnjë lidhje të njohur me njëri-tjetrin.

Vetëm rasti i parë, i raportuar më 6 maj, ka udhëtuar së voni në Nigeri.

Duke qenë i tillë, ekspertët paralajmërojnë për transmetim më të gjerë, nëse rastet kalojnë të paraportuara.

Paralajmërimi i Agjencisë së Sigurisë Shëndetësore në Mbretërinë e Bashkuar thotë se rastet e fundit kanë qenë kryesisht në mesin e burrave që janë vetidentifikuar si homoseksualë, biseksualë ose burra që kryejnë marrëdhënie seksuale me burra, dhe i këshillon ato grupe që të jenë të kujdesshme.

Organizata Botërore e Shëndetësisë tha këtë javë se shkencëtarët janë duke bërë disa studime, për të parë nëse viruset janë të lidhura.

Përse tani?
Një skenar i mundshëm pas rritjes së numrit të rasteve është rritja e udhëtimeve, pas heqjes së kufizimeve që ka imponuar pandemia COVID-19.

“Teoria ime e punës është se ka shumë [raste] në Afrikën Perëndimore dhe Qendrore, udhëtimet kanë rifilluar dhe kjo është arsyeja përse shohim më shumë raste”, thotë Whitworth.

Lia e majmunëve ka alarmuar virologët, sepse është në familjen e lisë, ndonëse shkakton sëmundje më pak të rënda.

Lia është çrrënjosur me vaksinim në vitin 1980, dhe që atëherë infektimet kanë rënë gradualisht.

Anne Rimoin, profesoreshë e epidemiologjisë në Universitetin e Kalifornisë, thotë se vaksinimi kundër lisë mbron edhe kundër lisë së majmunëve, andaj rënia e shkallës së vaksinimit ka çuar në rritje të numrit të rasteve në zonat ku sëmundja është endemike.

Ajo thotë se hetimi urgjent i rasteve të reja është i rëndësishëm, pasi “ato mund të sugjerojnë përhapje të reja ose ndryshime në virus”, por kjo “mbetet për t’u përcaktuar”.

Ekspertët u bëjnë thirrje njerëzve që të mos bëjnë panik.

“Kjo nuk do të shkaktojë epidemi mbarëkombëtare siç ka bërë COVID-19, por është shpërthim serioz i një sëmundjeje serioze – dhe ne duhet ta marrim seriozisht”, thotë Whitworth.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here