Ibsen Elezi, rivali i Sali Berishës në garën për kreun e PD, ka votuar në selinë blu dhe është ndalur për mediat.
Ai tha se nuk ka tërheqje nga gara pavarësisht disa problematikave të konstatuara gjatë procesit.
Sa i përket deklaratës së Berishës se “sot në këtë proces mbarëshqiptar shohim dritën e shpresës për të ardhmen”, ai tha se “drita e së ardhmes nuk është as Doktori, as unë, por demokracia në këtë vend”.
“Individët nuk janë drita e diellit. Jemi në një sistem ku duhet të vendosim për ide, jo për individë”, tha Elezi.
Ai theksoi më tej se nuk do të tolerojë parregullsi të konstatuara të kryera nga komisionerët.
“Jam fokusuar shumë te procesi dhe ndaj kam pranuar të jem në këtë garë. Kam luftuar shumë për proceset. Pas shpalljes së vendimit, do ta njoh rezultatin. Kam toleruar shkelje të vogla, por nëse verifikohet se komisionerët nuk do jenë korrektë, nuk do ta toleroj”, tha Elezi.