Bashkimi Europian nuk preferon të ndërhyjë në çështjet e brendshme të Partive politike. Zyrtari i lartë i Parlamentit Europian, David McAllister, nuk pranoi të komentojë krizën dhe situatën në Partinë Demokratike, gjatë vizitës së tij, në Tiranë. Në cilësinë e tij, si zv/ president i grupit të Partive Popullore Europiane, McAllister, njoftoi se javën e ardhshme Partitë Popullore Europinë do të mblidhen në Roterdam, dhe një nga çështjet që do diskutohet do jenë edhe zhvillimet në Partinë Demokratike.
‘Sot, në konteksin e këtij misioni po udhëtoj, si kreu i komisionit parlamentar për çështjet e jashtme të parlamentit europian. Dhe jo si zv/president i grupit të Partive Popullore Europiane. Prandaj sot nuk kam mundësi të bëj komente publike ne lidhje me çfarë po ndodh në PD.
Por të jeni të sigurtë që në kapacitetin tim si anëtar i CDU-së dhe zv/president i PPE-së, ne po ndjekim nga afër të gjitha zhvillimet në PD-në dhe do të përpiqemi të japim mbështetjen tonë që të tejkalohen ndasitë. Ne do kemi një konferencë të PPE-së në Roterdam, javën që vjen dhe atje do ndërmjet shumë çështjeve të tjera do diskutojmë edhe zhvillimet në Shqipëri’, – thotë McAllister.
Pas takimeve me krerët e shtetit dhe përfaqësues të palëve politike, David McAllister, njeriu që negocoi krizën politike mes opozitë dhe mazhorancës në vitin 2017, e vuri theksin te rëndësia që ka për vendin një opozitë e fortë.
‘Duhet bashkëpunim konstruktiv politik dhe konkurrencë, zgjedhje me garë të plotë. Retorika përçarëse dhe gjuha e urrejtjes do të ngecë procesin. U bëjmë thirrje të gjithë palëve politike për tu angazhuar në mënyrë konstruktive për zgjidhjen e problemeve. Nuk mund të ketë ecuri pa patur një opozitë të fortë dhe konstruktive’, – është shprehur dhe zv/president i PPE-së.
Gjatë vizitës në Tiranë, kreu i komisionit parlamentar për çështjet e jashtme të Parlamentit Europian kërkoi hapjen e menjëhershme të negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë veriut, duke thënë se pavarësisht se ka plan B dhe C, vonesat në integrimin e këtyre vendeve po kthehet në një dështim për politiken e BE.
‘Bashkimi Europian nuk ka kohë për të humbur për çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut pasi vendet i kanë përmbushur kushtet. Parlamenti Europian ndjen keqardhje për vonesat në çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe RMV. Theksojmë se ky dështim është një rrezik i vërtetë për politikën e zgjerimit Europian. PE vazhdon që të bëjë thirrje që të ketë një fillim të menjëhershëm të negociatave për anëtarësim’, – theksoi David McAllister.
I pyetur për arrestimin e ish ministrave dhe përfaqësuesve të lartë të PS, në afera korruptive, Zyrtari i larte i PE, u bëri thirrje autoritetet shqiptare që të vijojnë punën e tyre në luftën kundër krimit dhe korrupsionit.