Detaje të reja kanë dalë nga ngjarja e rëndë që ndodhi mbrëmjen e djeshme në komisariatin nr.3 në Tiranë, ku një efektiv policie u qëllua 6 herë për vdekje nga kolegu i tij. Viktimë ka mbetur Çaush Saliasi, 55 vjeç ndërsa autori i këtij krimi është kolegu i tij, Ludjan Zaimi 25-vjeç.
Gazetarja e ABC, Xhensila Kodra, raporton se vrasja që ndodhi në ambientet e Komisariatit nr.3, duket se nuk ka ndodhur nga një konflikt i çastit, por ishte pasojë e sherreve të vazhdueshme që autori ka pasur me viktimën.
Kur këta të dy ishin me shërbim, bënin shaka me njëri tjetrin por gjithçka ka marrë një rrjedh ndryshe mbrëmjen e djeshme dhe gjërat janë kthyer në personale.
Pas sherrit, mësohet se Ludjan Zaimi i ka shkuar pranë Çaushit duke e pyetur “Si do e lëmë bashkë?”.
Në momentin që 55-vjeçari është ngritur, i riu ka shkrehur armën ndaj tij duke e lënë të vdekur.
Të njëjtat burime shpjegojnë për ABC se viktima i është drejtuar edhe me terma fyes autorit duke i thënë se “Ti je qorr”, apo fjalë të tjera ofenduese.
Pasi ka hyrë në komisariat, mësohet se autori 25-vjeçar, u është drejtuar edhe policëve të tjerë të sallë duke thënë “Ulni kokat ju” dhe më pas ka shkrehur armën drejt 55-vjeçarit.