Hapja e rrugëve ka rikthyer dhe “dëshirën” e shqiptarëve për t’u larguar nga vendi.
Të dhënat e publikuara nga Eurostat tregojnë se në janar-shkurt të këtij viti u shënuan gjithsej gati 2 mijë kërkesa për azil nga shtetasit shqiptarë në një nga vendet e Bashkimit Europian.
Kjo shifër është dy herë më e lartë sesa e njëjta periudhë e vitit 2021, kur aplikoheshin kufizimet e udhëtimeve, por mbetet rreth 20% më e ulët sesa në periudhën e para pandemisë.
Shteti më i preferuar për të kërkuar azil mbetet Franca, me gati gjysmën e aplikimeve në total, për shkak të politikave më sociale që ai ndjek ndaj emigrantëve. Drejt këtij shteti aplikimet u rritën me 130% në janar-shkurt në raport me dy muajt e parë të 2021-t.
Gjermani është vendi i dytë që pret më shumë aplikime, me 24% të totalit, me pothuajse trefishim në raport me një vit më parë. Shumë individë në Gjermani shkojnë edhe me leje pune dhe nuk figurojnë të regjistruar si azilantë.
Italia dhe Greqia, dy shtetet që më parë prisnin fluksin më të lartë të emigrantëve, tashmë renditen përkatësisht në vendin e tretë dhe të katërt.
Që pas pandemisë, fluksi më i lartë i kërkesave për azil u shënua në shtator 2021, me mbi 2 mijë aplikime. Më pas kishte një tendencë rënieje, por janari i këtij viti sërish pa një rritje të kërkesave për azil.
Europa
Sipas Eurostat, në shkurt 2022, 54 565 aplikantë për azil për herë të parë (qytetarë jo të BE-së) aplikuan për mbrojtje ndërkombëtare në Shtetet Anëtare të BE-së, 85% më shumë krahasuar me shkurtin 2021 (29 470) dhe 3% më shumë krahasuar me janarin 2022 (52 810).
Rritja nga janari në shkurt 2022 mund t’i atribuohet kryesisht rritjes së aplikantëve ukrainas për herë të parë (nga 355 në janar në 2 370 në shkurt; +568%).
Në shkurt 2022, afganët ishin grupi më i madh i personave që kërkonin azil (7 075 aplikantë për herë të parë).
Ata u pasuan nga sirianët (6 775), përpara venezuelianëve (4 205), kolumbianët (3 110) dhe ukrainasit (2 370)./MONITOR