Kryeministri dhe mazhoranca, që ‘ngatërrojnë’ qëllimisht të pasurit!

0
131

Në shtator të vitit 2015, qeveria shpalli se nisi një nga aksionet më të mëdha kundër informalitetit në ekonomi. Fokusi fillimisht ishte biznesi i vogël. Frika dhe terrori që përhapi kryeministri dhe imazhet e qepenave të mbyllur, u bënë virale në atë kohë, shkruan Monitor.

Klima e biznesit u përkeqësua ndjeshëm dhe shoqatat e biznesit dhanë reagimet më të ashpra që ishin parë ndonjëherë. Rezultati? Teksa u bë e qartë që sipërmarrësit e vegjël kontribuonin më pak se 2% të të ardhurave në buxhet, por kishin një peshë të rëndësishme në vetëpunësimin në ekonomi, që përbënin mbi 30% të totalit, ndër më të lartat në Europë, kjo masë e qeverisë rezultoi dështim me sukses të plotë!

Për rrjedhojë, taksat për bizneset e vogla u hoqën, por sapo ato filluan të merrnin frymë lirisht, erdhi ndërhyrja tjetër në vitin 2018: Ulja e pragut të TVSH-së nga 8 në 2 milionë lekë, po me argumentin e luftës kundër evazionit.

Periudha do të mbahet mend dhe për një element tjetër, pasi jemi ndoshta i vetmi vend, ku një tufë drejtuesish të bizneseve më të mëdha dhe disa profesorë ekonomie pranë qeverisë, dolën në protestë për të shprehur indinjatën për informalitetin e biznesit të vogël dhe drejtësinë e politikës së kryeministrit.

Eksperimenti sërish zgjati ca vite dhe u duk qartë që kostot e administrimit të këtij lloj tatimi ishin shumë më të mëdha sesa përfitimet nga ulja e pragut. Pra, përsëri rezultoi në dështim, të cilin qeveria tentoi ta korrektojë me rritjen e pragut në 10 milionë lekë, nga 1 janari i vitit 2021, viti elektoral. Këtë herë, qeveria shqiptare nuk u kujdes të linte periudhë kohe për frymëmarrje. Regjimi i tatimeve për këtë segment biznesi pritet të ndryshojë përsëri, duke shënjestruar profesionistët e lirë.

Taksimi i atyre që qeveria preferon t’i quajë të pasur dhe i etiketon si evazionistë fiskalë, duke i përballur në mënyrë të vijueshme me shtrëngesa fiskale, është një tjetër eksperiment, i cili në 10 vitet e fundit, vetëm ka krijuar kosto, por jo përfitime për asnjërën palë.

Në Shqipëri, sipas konceptit të qeverisë, i pasur quhesh nëse ke një pagë apo të ardhura më të larta sesa 150 mijë lekë në muaj (tani 200 mijë lekë) dhe shtesa mbi këtë kufi tatohet me 23%, më e larta në rajon, dhe me ndryshimet e reja fiskale, profesionet e lira do të futen në skemën e taksimit progresiv. individët dhe tashmë profesionistët e lirë paguajnë deri në 23% tatim për të ardhurat e tyre. Në kontrast, bizneset paguajnë 15% tatim fitim dhe 8% për dividend.

Qeveria nuk nxit investimet tek biznesi, por favorizon shpërndarjen e fitimeve përmes dividendit të ulët, a thua se do të nxisë ato sipërmarrje që nuk sjellin vlerë të shtuar në ekonomi, por thjesht ndajnë fitimet (inceneratorët psh).

Drejtësia tatimore është një koncept që përcakton se sistemi tatimor i një qeverie duhet të jetë i barabartë për të gjithë qytetarët. Por, qeveria, përveçse në vite vetëm sa ka krijuar një rrëmujë fiskale nëpërmjet ndryshimeve të shumta në ligje, nuk ka arritur të kuptojë dy elemente kryesore:

-Së pari, dhuna (verbale) nuk funksionon në një shtet demokratik, sidomos me atë kategori që ka arritur të mbijetojë, nëpërmjet krijimit të sipërmarrjeve të vogla dhe vetëpunësimit, duke mos iu bërë barrë qeverisë në politikat e saj sociale, as presion mbi tregun e rrogëtarëve të administratës së tejfryrë.

-Së dyti, në Shqipëri po “ngatërrohet” (qëllimisht) koncepti i të pasurve, sidomos nga kryeministri. Një pagë prej 150 apo 200 mijë lekë në muaj, nuk të bën të pasur. Lepuri nuk fle as te të vetëpunësuarit në sektorin e shërbimeve.

As te “të deklasuarit”, që kryeministri premtoi solemnisht se do t’ua bëjë publike pagat një herë në vit, duke shkelur çdo parim dhe ligj për mbrojtjen e të dhënave personale. Përkundrazi po flasim për shtresën më formale të taksapaguesve, krahun e kualifikuar të punës dhe bazën e fuqisë së konsumit të brendshëm. Pasuria reale nuk matet dhe aq shumë me të ardhurat që me nivelin e inflacionit nuk jamë më të mjaftueshme as për të bërë një jetë normale, por nga pronat që një individ mund të zotërojë.

I pasur realisht sot mund të bëhesh shumë shpejt dhe shpesh pa u shqetësuar fare, nëse je i korruptuar, nëse ke lidhje të dukshme e të padukshme me pushtetin (që shërbejnë për marrjen e tenderave pa meritë apo për të bërë evazion), nëse kanalizon paranë informale, nëse i propozon qeverisë një PPP. Fatkeqësisht, këta duket se janë jashtë çdo radari.

Sistemi tatimor kompleks, i fabrikuar në dekadën e fundit, vetëm sa ka prodhuar më shumë evazion tatimor dhe varfëri, por nuk ka shënjestruar asnjëherë shmangësit e vërtetë. Me të ashtuquajturat reforma të vazhdueshme, mund të krenohemi që sistemi ynë tatimor shkel të gjitha parimet që duhet të ketë një sistem ideal, si barazia, parashikueshmëria, neutraliteti, qartësia dhe thjeshtësia për t’u zbatuar, apo dhe raporti i përfitimeve kundrejt kostove të administrimit.

Të vegjlit apo “të pasurit e varfër” nuk janë problemi i këtij vendi, por keqqeverisja dhe keqadministrimi i financave publike. Shmangia e problemeve aktuale, duke bërë politikë me gjuhë përçarëse, jo vetëm nuk zgjidh problemet reale të ekonomisë, por thjesht rikthen retorikën e luftës së klasave.

Qytetarët e këtij vendi kanë nevojë për reforma dhe vende pune, përmirësim të standardit të jetesës dhe rritje të mirëqenies dhe jo kënaqësi, duke parë të varfërohen “kulakët” e shpallur nga kryeministri.

Me sa duket, qeveria ka prioritete të tjera. Për sa kohë që fokusi do të jetë sërish te të vegjlit, apo të “pasurit e varfër”, historia ka treguar se çdo aksion klientelist është i destinuar të dështojë. Ndërkohë, dëmi që do të shkaktojë në segmentin e biznesit të vogël, nuk do të korrigjohet lehtë.

Dikush t’i thotë kryeministrit (nëse nuk po e bën qëllimisht) se po nxit në mënyrë të panevojshme konflikte mes të “pasurve të varfër” dhe të pasurve të vërtetë, kur fokusi në këto momente – kur inflacioni është në nivelin më të lartë të 20 viteve – është në rritjen e konkurrueshmërisë së vendit dhe nxitjen e vendeve të punës me njohuri e vlerë të shtuar të lartë, që do të ishte zbutësi real i konflikteve sociale në vend./MONITOR

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here