Pjesëtarët e familjes Doçi kanë adresuar në Syri TV një problematikë që lidhet me pronën e tyre. Ata pretendojnë se një sipërfaqe toke prej 2500 metrash u është marrë padrejtësisht nga i dënuari për trafik droge, sot biznesmen, Edmond Bego për të ndërtuar një kompleks pallatesh, ndërsa leja është dhënë nga Bashkia e Tiranës.
Zaptimi i pronave të qytetarëve për interesa personale është kthyer në një fenomen tejet të përhapur. I tillë është rasti i familjes Doçi në kryeqytet, pjesëtarët e së cilës kanë denoncuar në Syri Tv, një problematikë që lidhet me tokën e tyre.
Edhe pse në bazë të dokumentacioneve rezultojnë pronarë të një sipërfaqeje prej 2500 metër truall, ata denoncojnë se po u grabitet padrejtësisht nga miku i Taulant Ballës, Edmond Bego një i dënuar për trafik droge, sot biznesmen, i cili synon të ndërtojë një kompleks pallatesh në pronën e tyre.
“Në këtë sipërfaqe kaq të madhe do të ndërtohet një kompleks pallatesh nga firma e Edmond Begos. Vazhdon në këtë gllabërim ose grabitje të pronës tonë. Jemi në proces gjyqësor, ata vazhdojnë ende veprimet e tyre. Këto institucione janë në dorën e shtetit dhepushtetit të cilët janë në favorin e njerëzve që kanë raporte personale apo interesat e tyre”, shprehet Liljana Doçi.
“Është firma e Edmond Begos. Ata do të ndërtojnë pallate. Asnjë dakordësi nuk kanë arritur me ne“, thotë Vjollca Doçi.
Ka qenë Bashkia e Tiranës që ka aprovuar ndërtimin e pallateve, duke i dhënë lejen kompanisë së mikut të Taulant Ballës për të ndërtuar në këtë zonë.
Problemi thellohet më tej, pasi pikërisht për të shpëtuar këtë kompleks pallatesh, është devijuar edhe projekti i Unazës së Madhe që sposton Lumin Lana, duke rrezikuar shembjen e qindra banesave e duke lënë pa strehë familjet që jetojnë në to.
Ndërkohë pronarët e tokës, vëllezërit Aleksandër dhe Zef Doçi, janë larguar me dhunë nga policia, pasi kanë kundërshtuar punimet.
“Na morën me forcë dy vëllezërit, Aleksandrin dhe Zefin dhe janë në rajon. Ata i morën dhe i shoqëruan në polici. Sandrin medemek e morën për sqarime, mori edhe disa dokumente në dorë, ndërsa Zefin e tërhoqën zvarrë”, shprehen dy denoncueset, Liljana dhe Vjollca Doçi.
Familja Doçi ka fituar disa gjyqe në lidhje me këtë çështje dhe ende janë në proces gjyqësor, por duket se ky fakt nuk i bën aspak përshtypje ndërtuesit, pasi mjetet e kompanisë kanë rrethuar zonën dhe vijojnë normalisht punën.
Kush është Edmond Bego dhe lidhja me Taulant Ballën
Edmond Bego, pavarësisht se rezulton si i dënuar për trafik ndërkombëtar droge në Itali, në Shqipëri më së shumti njihet si biznesmen i suksesshëm dhe me mbështetje të madhe politike.
Një skemë jo e panjohur në vendin tonë, ku persona të përfshirë në aktivitet kriminal, i ‘legjitimojnë’ paratë duke hapur biznese dhe duke investuar kryesisht në fushën e ndërtimit.
I njohur për miqësinë e ngushtë me Taulant Ballën, Bego, pasi ka mbyllur hesapet me drejtësinë, ka futur duart edhe në fondet publike, ku sipas disa dokumenteve të publikuara nga opozita ka marrë të paktën 14 milionë euro nga tenderat e shtetit, pavarësisht se ligji shqiptar i ndalon një të dënuari për trafik droge të marrë pjesë në tendera publikë.
Numri dy i PS, Taulant Balla, e ka pranuar me krenari miqësinë me trafikantin, madje miqësia mes tyre është familjare.
‘Personin në fjalë sigurisht që e njoh, njoh bashkëshorten e tij dhe fëmijët të shkëlqyer, nxënës shembullorë, moshatarë me tim bir’, deklaronte Balla më 21 gusht 2018.
Rezulton se Taulant Balla ka udhëtuar mbi 25 herë me trafikantin Bego me të njëjtën makinë.
Gjithashtu ata kanë udhëtuar së bashku me charter në destinacione si Vjena, Parisi apo dhe Athina, dhe kostoja e këtyre udhëtimeve përllogaritet në 600 mijë euro.
© SYRI.net