28 maj 2022
Me anë të një ceremonie të veçantë, Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta vlerësoi sot me Titullin “Mjeshtër i Madh” piktorin dhe artistin e shquar, si dhe aktivistin e spikatur të shoqërisë civile,z.Avni Delvina: “Me mirënjohje ndaj veprimtarisë dhe kontributeve të çmuara artistike si piktor i spikatur me vlera dhe merita intelektuale dhe atdhetare, si dhe për forcimin e lidhjeve të gjithanshme, veçanërisht kulturore mes Shqipërisë dhe Italisë. Në vlerësim të punës së palodhur për ruajtjen dhe pasurimin e trashëgimisë kulturore shqiptare, si dhe për angazhimin e tij të vyer në radhët e shoqërisë civile, rreth çështjeve me ndjeshmëri të lartë dhe jetike për qytetarët shqiptarë dhe demokracinë tonë.”
Duke i drejtuar mjeshtrit Delvina, familjarëve, artistëve të shumtë, personaliteteve të artit e kulturës si dhe aktivistëve të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar, Presidenti Meta u shpreh:
“Jam i lumtur, që jemi sot, sëbashku, për të vlerësuar një artist me një kontribut të jashtëzakonshëm, jo vetëm në fushën e artit, por në veçanti edhe nëjetën shoqërore të vendit, zotin Avni Delvina.
Avni Delvina, është një nga pasardhësit e familjes së madhe të Sulejman Delvinës, Shefqet Delvinës dhe të Avni Bej Delvinës, familje me vlera të shquara patriotike, që ka kontribuar në mbrojtjen e trojeve tona kombëtare dhe të interesave kombëtare, duke u vendosur gjithmonë në shërbim të kauzave më të rëndësishme të vendit dhe kombit.
Avni Delvina kishte mbi supe këtë trashëgimi të rëndësishme dhe natyrisht nuk mund të ishte ndryshe nga paraardhësit e tij.
Edhe pse filloi të pikturojë në një moshë jo fare të re, talenti dhe kontributi i tij ishin të dukshëm, dhe bënë që në vitin 1989, të pranohej Kandidat i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë.
Avni Delvina mori pjesë në ekspozita të ndryshme kombëtare, ku krijoi lidhje e bashkëpunime me piktorë të ndryshëm të asaj kohe, si Adrian Devoli, Mustafa Arapie shumë të tjerë, bashkëpunime të cilat vazhdojnë edhe sot.
I etur për liri e demokraci, në 2 korrik 1990, Avni Delvina ishte ndër ata që vendosi të largohej nga Shqipëria, për t’u vendosur në Itali së bashku me familjen e tij.
Iu deshën vetëm pak muaj, pas vendosjes në Itali, që të hapte ekspozitën e tij të parë në Bolognia.
Jehona e kësaj ekspozite ishte shumë e madhe dhe bëri që ajo të pasohej edhe nga shumë ekspozita të tjera, ku piktori Delvina u vlerësua edhe nga kritikë të njohur italianë.
Një prej tyre ishte Paolo Zauli, i cili i impresionuar nga veprat dhe krijimtaria e piktorit, hapi një ekspozitë personale, me punime të ndryshme të Avni Delvinës, në galerinë e tij me famë në të gjithë Italinë.
Pasioni për t’u shprehur me anë të pikturës dhe të ngjyrave, si dhe ndjenjat e forta që përcjellin veprat e tij, kanë bërë që Avni Delvina të vlerësohej me çmime të ndryshme ndërkombëtare.
Ndërkohë që në Romë, në një nga kryeqytetet më të rëndësishme të botës, piktori Delvina u vlerësua me çmimin Leonardo i Artë, për pikturën dhe peisazhet e tij, të sjella në një formë ndryshe të artit, jo në atë klasike.
Vittorio Sgarbi, kritiku i njohur i artit, analist dhe drejtues i shumë emisioneve në Itali, është gjithashtu, një ndër personalitet, që ka vlerësuar punën e Avni Delvinës, dhe ka në koleksion grafikën e tij.
Subjektet e krijimtarisë së Delvinës, i kaluan kufijtë evropianë, me ekspozitën e tij ‘The Donald’, e cila iu dedikua Presidentit të Shteteve të Bashkuara në atë kohë, Donald Trump.
Kjo ekspozitë, e çelur në Muzeun Historik Kombëtar, ishte unike për nga natyra dhe konceptimi, dhe u bë njëlajm në shumë media ndërkombëtare.
Masivizimi i rrjeteve sociale frymëzoi artistin Delvina, që të nisë një formë të re të shprehjes së artit, atë të grafikës dixhitale.
Kjo lloj grafike është komunikimi i përditshëm i piktorit Delvina, i cili nëpërmjet qindra punimeve shpreh zërin e tij kritik, kundër padrejtësive dhe abuzimeve me pushtetin.
Nisur nga ndjenja atdhetarie dhe dashurie për artin dhe kulturën shqiptare, zoti Delvina u rreshtua fort që në nisje të kauzës në mbrojtje të Teatrit Kombëtar.
Për një periudhë 2-vjeçare, grafika e Delvinës u fokusua në kauzën e Teatrit, në mbrojtje të një ndërtese historike, me vlera unike arkitektonike.
Grafiket e tij fine, plot ironi dhe akuzate qarta e të forta të mishëruara në art, ishin jo vetëm një goditje e fortë për pushtetin arbitrar, që kërkonte të shembte Teatrin Kombëtar, por edhe një mbështetje shumë e madhe për artistët dhe qytetarët që dolën në mbrojtje të tij.
Ky kontribut i jashtëzakonshëm i artistit Delvina u pasqyrua në ekspozitën e tij, që u mbajt në ndërtesën e Teatrit Kombëtar dhe që u vizitua nga më shumë se 20.000 qytetarë, përfshirë dhe mua.
Fatkeqësisht, një pjesë e pikturave të Avni Delvinës mbetën nën rrënoja e mureve të ndërtesës, ditën që ajo u shemb, në mënyrë të pabesë.
Zoti Delvina vazhdon i palodhur punën e tij, duke dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për atdheun e tij, Shqipërinë, duke u bërë një ambasador i vërtetë i traditave, zakoneve, historisë, artit dhe trashëgimisë kulturore shqiptare.