Bujqësia organike në Shqipëri po zhvillohet përtej bimëve mjekësore që rriten në gjendje të egër. “Cocoal”, me zogj mishi dhe vezë bio, “Mrizi i Zanave”, me orizin e zi organik, serrat akuaponike, etj., po shndërrohen në një segment të bujqësisë, që jo vetëm ofron produkte cilësore në treg, por sjell fitime më të larta për bizneset. Bujqësia organike është në fillesat e saj, por vitet e fundit po rritet me shpejtësi. Fermerët vuajnë nga mungesa e njohurive dhe mbështetjes financiare, ndërsa klima dhe pozita gjeografike janë të përshtatshme. Si po zhvillohen prodhimet bio dhe si mund të konvertohen fermat në organike
Blerina Hoxha
Nevoja për të rritur marzhet e fitimit dhe plotësimi i kërkesës së munguar për disa produkte ushqimore po orienton prodhimin bujqësor drejt organikës.
Zogjtë e mishit dhe vezët organike, të prodhuara në kushte të kontrolluara nga ferma organike “Cocoal” , janë një biznes i ri, që synon të plotësojë kërkesën në rritje të konsumatorëve, orizi i Zadrimës, kafshë për mish të rritura në natyre janë vetëm disa produkte organike që kanë nisur të zyrtarizohen si të tilla.
Ndonëse në fillesa dhe në një treg të parregulluar mirë, produktet organike në vendin tonë duket se do të jenë e ardhmja e bujqësisë. E copëzuar në rreth 350 mijë ferma me 1,2 hektarë sipërfaqe secila dhe me zvogëlimin e popullsisë në zonat rurale, Shqipëria e ka të pamundur të zhvillojë bujqësinë intensive.
Në vend të saj, disa prodhues po orientohen në sasi më të vogla prodhimi, por me cilësi më të lartë. Altin Prenga, i cili drejton “Mrizi i Zanave”, prej pak vitesh po kultivon një lloj orizi të zi. Pa shaka, ai thotë se, mbjellja e tij ka më shumë leverdi edhe se hashashi. Zoti Prenga e kultivon këtë lloj orizi për llogari të restorantit të tij dhe thotë se, përfitimi ekonomik është i lartë, pasi në treg, një kilogram nga orizi që ai prodhon është 1300 lekë (të reja) kilogrami.
“Mia Market”, dyqan produktesh organike online, duket se rezultoi një biznes fitimprurës. Katër vajza të shkolluara në Itali disa vite më parë hynë në një biznes të panjohur. Ato pohuan për “Monitor” se, biznesi i tyre po rritet dhe tani shumicën e produkteve organike, i prodhojnë në fermën e tyre në afërsi të Tiranës. Vajzat presin që fitimet të rriten, për shkak se sipas tyre, biznesi ka pasur ecuri të mirë nga viti në vit.
Ina Nanaj, e cila ka zhvilluar prodhimin në serrë me teknologji hidroponike pohon se, tendenca për prodhimin organik është në rritje, e shtyrë nga kërkesa në tregun europian për prodhime të tilla, por në praktikë ka problematika të shumta.
Sektori i bujqësisë është shumë i vështirë, sidomos bujqësia organike, për mungesë organizimi dhe ndarje territoresh, – tha zonja Nanaj.
“Albinspekt”, një njësi e financuar nga qeveria zvicerane për krijimin dhe zhvillimin e infrastrukturës së bujqësisë organike në Shqipëri, ka certifikuar deri më tani 200 biznese organike në vend, të përfaqësuara nga ferma bujqësore.
Fermave organike shqiptare që zotërojnë këtë certifikatë u mundësohet eksporti në vende të tjera. Po në mënyrë që këto produkte të eksportohen edhe në BE si organike, ato duhet të përdorin metoda të prodhimit organik të përcaktuara në legjislacionin e BE-së, proces që auditohet nga një certifikues i akredituar nga BE. Produktet duhet të kenë logon organike të BE-së, si dhe logon e standardit.
“COCOAL”: PULARITË, ZHVENDOSJA NGA KULTIVIMI INTENSIV NË PRODUKTE ORGANIKE
Poshtë një pemishte me mollë, ullinj dhe kajsi kullosin zogjte “Pulastren” që prodhojnë mishin dhe pulat qe prodhojnë vezën “Kokove”, si në kushtet e fshatit dhe pastaj shiten në supermarketet e kryeqytetit.
Ferma organike “Cocoal”, që po e çon prodhimin në një nivel më të lartë të cilësisë, po përballet me kosto të larta të prodhimit, konkurrencë jo të ndershme dhe mungesë të orientimit të konsumatorit për prodhime organike.
Ermonela Gumi, administratore e “Cocoal”, po i jep mbarështimit të shpendëve një dimension të ri . Në fillim të tranzicionit në zonën e Durrësit lulëzuan pularitë, të cilat synuan të plotësonin shpejt deficitin e të ushqyerit me mish dhe vezë.
Prej vitesh, mbarështimi i pulave ka qenë ndoshta dega më e zhvilluar e bujqësisë, duke plotësuar tërësisht nevojat vendase. Mirëpo tani zonja Gumi po synon një segment tjetër të biznesit, me prodhime organike që në perspektivë do të mund të gjenerojë fitime.
Pulat organike, rritje si në fshat
Ermonela Gumi, administratore e fermës organike “Cocoal” tha se, fillimisht ideja ishte prodhimi i vezëve organike si në fshat. Pas disa përpjekjesh u gjet një hibrid i përshtatshëm nga Italia, një pulë veze e cila përballon mbarështimin në rritje të lirë në natyrë, është më rezistente ndaj kushteve atmosferike dhe siguron prodhim cilësor vezësh.
Gjatë ditës, pulat per vezë kullosin bar në natyrë, ndërsa kotecin (stallën) e kanë të mjaftueshëm, me një hapësirë 10 herë më të madhe se pularitë e zakonshme për vezë. Në një metër katror, rriten 7 pula, ndërsa në pularitë industriale me kafaze të mbyllura, mbi 50 të tilla.
Pavarësisht se rriten në natyrë, pulave në stallë u janë krijuar kushtet e lagështirës dhe temperaturës, të cilat kontrollohen nga një sistem i dixhitalizuar për të shmangur gabimet njerëzore. Pasi ferma “Cocoal” doli në treg me vezën organike Kokove, e cila ka cilësitë e vezës bio të fshatit, konsumatorët kërkuan edhe mishin që kompania filloi ta prodhojë këtë vit me emrin “ Pulastren”.
Zonja Gumi tha se edhe zogjte e mishit “Pulastren” kalojnë një proces të rreptë mbikëqyrje që nga vaksinimi deri në therje e më tej, në supermarket. I gjithë procesi është organik. Edhe ushqimi gjatë ditës është bio dhe vaktet janë sojë dhe misër, pa hormone dhe suplemente të tjera si në pularitë intensive. Edhe therja kalon në një proces të veçantë artizanal, që ul nivelin e stresit të pulës para therjes.
Zogjtë për mish “Pulastren” të therur ruhen në kushte të temperaturave konform standartit 0-4 gradë dhe shpërndahen brenda ditës në supermarkete në Tiranë dhe Durrës. Gumi thotë se, zogjtë e mishit “ Pulastren” shiten të freskët në supermarkete, standardet shmangin ngrirjen.
Prodhimi i pulës organike, kosto dy herë më e lartë, çmimet nuk e justifikojnë
Në Shqipëri, prodhimet bujqësore shoqërohen me kosto të larta, për shkak të mungesës së mbështetjes financiare nga buxheti i shtetit, por bujqësia organike ka kosto dy herë më të larta se bujqësia intensive.
Zonja Gumi shprehet se kosto e prodhimit në fermën organike “Cocoal” është mbi dy herë më e lartë se në pularitë industriale. Kostot krijohen nga dy elemente: Së pari, investimi për sipërfaqe më të madhe të stallës. Pulat për vezë dhe zogjtë për mish që rriten në mënyrë organike kërkojnë një sipërfaqe në stallë 10 herë më të lartë se zakonisht; së dyti është kostoja e ushqimit, pasi përdoret misër dhe sojë, që kushtojnë më shumë se përzierjet me hormone që konsumojnë pularitë e mbarështimit intensiv.
Vitin e fundit, çmimi i misrit ka arritur në 55 lekë/kilogram nga 38 lekë më parë, ndërsa një kilogram sojë kushton 95 lekë, nga 65 lekë më parë.
Nga ana tjetër, për një sasi më të vogël pulash, harxhohet e njëjta sasi energjie, por çmimi i mishit dhe vezës së fermës organike “Cocoal” është deri në 20% më i lartë se të njëjtat produkte në tregjet e pakicës.
Konsumatorët nuk janë të edukuar drejt prodhimeve organike vendase. Ndryshe nga vendet e tjera, në Shqipëri prodhimi vendas paragjykohet shumë. Konsumatorët që kanë mundësi financiare t’i blejnë, shpesh i shmangin për shkak të mungesës së besimit, duke zgjedhur një produkt të huaj, edhe pse nuk është i freskët.
Bizneset e orientuara drejt prodhimit organik, veç të tjerash do të duhet të edukojnë edhe tregun.
Në Shqipëri, ka rreth 63 stabilimente që mbarështojnë pula, por nuk ka politika dhe biznese që prodhojnë ushqime për pularitë dhe fermat blegtorale. Mbarështimi i shpendëve dhe kafshëve në stalla mbështetet tërësisht në import.
Ashtu si edhe inputet e tjera bujqësore, ushqimi për kafshë në tregjet globale që nga mesi i vitit 2021 dhe tani pas luftës në Ukrainë është rritur me 100%. Kostot e larta të transportit pas pandemisë u rritën shumë, duke ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë te çmimet e mallrave.
Operatorët e tregut pohojnë se çmimi për 1 ton ushqim për pula kushtoi 50% më shumë në gjysmën e dytë të vitit 2021 se në vitin 2020, por pas luftës në Ukrainë, çmimi për të njëjtën njësi është rritur edhe me 50%. Ukraina është eksportuesi më i madh global për sojë dhe misër, baza e ushqimit për pulat dhe blegtorinë. Stabilimentet e pulave janë edhe një konsumator i madh i energjisë elektrike. Pularitë e mëdha që tani janë në tregun e liberalizuar të energjisë, po paguajnë tarifa tre herë më të larta se vitin e kaluar.
“MRIZI I ZANAVE” PO PRODHON ORIZ “MADE IN ALBANIA”
“Mrizi i Zanave”, përveçse ka sjellë një model të suksesshëm të agroturizmit, i cili është përhapur në shumë zona rurale të vendit, po shndërrohet në promotorin se si agroturizmi mund të nxisë prodhimin vendas. Motoja e Altin Prengës i cili drejton prej vitesh “Mrizin e Zanave” është “fillimisht prodhim, pastaj restorant”.
Altini, përveçse po nxit fermerët në zonë të prodhojnë dhe të mbarështojnë bagëti, duke u blerë prodhimet, po synon të prodhojë disa kultivarë jo të zakonshëm. P.sh., gatimi i orizit me mish ose me pulë është i njohur në Shqipëri, ndaj për të shërbyer në mënyrë autentike, “Mrizi i Zanave” kultivon oriz për nevojat e restorantit të tij. Vitin e kaluar, ai prodhoi një lloj orizi, i rritur në mënyrë organike, i cili në treg kushton 13 mijë lekë kilogrami.
“Është vërtetë, nëse edhe të tjerët e mbjellin, do të fitojnë më shumë se me hashash”, thotë me humor Altini, por si për ironi është e vërtetë. Këtë vit, ai po eksperimenton 10 lloje orizi, me cilësi të mirë, për të vijuar më tej me llojin që do të ketë përshtatjen më të mirë me klimën dhe që siguron cilësinë më të lartë.
Zoti Prenga po synon ciklin e mbyllur në njësitë e tij të agroturizmit, duke siguruar të gjithë lëndën e parë nga restoranti me prodhime vendase. Vështirësitë janë të shumta. Çështjet e pronësisë, mungesa e kulturës së punës, largimi i të rinjve dhe mbështetja e ulët financiare për bujqësinë po pengon mbjelljen e tokës.
Zoti Prenga ka “importuar” një model të suksesshëm nga Italia, i cili është përhapur me shpejtësi edhe në treva të tjera të vendit. Por ai tha se, modeli i tij, është “kopjuar” përgjysmë, pasi nuk ka kuptim të zhvillosh agroturizëm, nëse nuk ofron prodhime vendase organike.
Paralelisht me njësitë e agroturizmit duhet të zhvillohet edhe prodhimi për restorantet nga zonat përreth. Turizmi është një burim i mirë të ardhurash për bujqësinë, e cila mund të prodhojë në mënyrë specifike produkte lokale për turistët e huaj, ashtu siç ndodh edhe në botën e zhvilluar.
BUJQSIA ORGANIKE, NË RRITJE
Bujqësia në Shqipëri është sektori me produktivitetin dhe pagat më të ulëta, edhe pse zë rreth 20% të totalit të Prodhimit të Brendshëm Bruto, por bujqësia organike mund të jetë një segment që sjell fitime më të larta se sa bujqësia intensive. Megjithëse bujqësia organike është në hapat e para, vitet e fundit ka shënuar rritje të shpejtë.
Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Bujqësisë, në vitin 2020, prodhimi organik arriti në 2118 tonë gjithsej, me një rritje 69% në raport me një vitin 2019, gjithashtu numri i fermave që kanë marrë certifikatën e prodhuesit organik arriti vitin e kaluar në 200, nga 40 në vitin 2018.
Duke pasur parasysh madhësinë e vogël të fermave dhe procesin e gjatë të konvertimit të fermave nga konvencionale në organike në Shqipëri, edhe pritshmëritë mbi madhësinë e fermave të certifikuara janë të ngjashme, pra të fragmentuara. Sipërfaqja minimale e tokës bujqësore, e konvertuar në organike apo në proces konvertimi, është 1.88 dynymë, kurse ajo maksimale, 73 dynymë.
Aktualisht prodhimet organike më të zakonshme në vendin tonë janë bimët mjekësore që rriten në gjendje të egër në natyrë, si sherbela, boronica, çaji i malit, rigoni etj. Po ndërkohë mjalti, kërpudhat, perimet në serra dhe sektori i bujqësisë ka nisur të orientohet drejt prodhimit organik. Në serrat e Lushnjës ka nisur të eksperimentohet një metodë e re që ngordh dëmtuesit pa pesticide.
Avantazhet dhe pengesat
Ministria e Bujqësisë e ka shpallur bujqësinë organike një sektor me përparësi, duke nxitur në këtë mënyrë integrimin e sektorit të bujqësisë organike shqiptare në bashkësinë ndërkombëtare të Bujqësisë Organike, si dhe rrjetëzimin kombëtar dhe ndërkombëtar. Në Shqipëri, ekzistojnë kushte të përshtatshme klimatike për prodhim produktesh organike gjatë sezoneve të hershme dhe dimërore. Sistemet e tanishme bujqësore dhe blegtorale kryesisht mbështeten në nivele të ulëta inputesh (sisteme jo intensive).
Sa i përket tregtisë, pozicioni gjeografik strategjik i Shqipërisë përbën një avantazh, ndërkohë që rritja e të ardhurave të konsumatorëve në Shqipëri paraqet një mundësi për tregun e brendshëm. Bujqësia organike në Shqipëri vazhdon të jetë në fazat e saj fillestare të zhvillimit, teksa përballet me disa sfida. Pavarësisht progresit në legjislacionin e bujqësisë organike, ka ende boshllëqe sa i përket përputhjes me legjislacionin e BE-së për bujqësinë organike (ose Politikën e Përbashkët Bujqësore).
Nga ana tjetër, kapacitetet e shërbimit këshillimor bujqësor janë të pamjaftueshme për t’u ballafaquar me zbatimin e standardeve për prodhimin organik. Mungesa e bashkëpunimit mes operatorëve pengon prodhuesit shqiptarë në tregtimin e produkteve organike në Shqipëri. Mbështetja buxhetore për bujqësinë në Shqipëri vijon të jetë mjaft e ulët, por për bujqësinë organike, ajo është thuajse inekzistente.
Që nga viti 2008, Ministria e Bujqësisë ofron mbështetje për certifikimin e produkteve bujqësore të kultivuara, kryesisht të destinuara për tregun e brendshëm vendas, por megjithatë numri i përfituesve në mesin e fermerëve mbetet shumë i ulët, pavarësisht rritjes së subvencioneve nga skema direkte, numri i përfituesve vazhdon të jetë i ulët, krahasuar me potencialin. Në programin IPARD II, mbështetja për bujqësinë organike përfshihet në masën numër 7:
Një anketë e zhvilluar me prodhuesit organikë, nga Instituti i Politikave të Qëndrueshme gjeti se, vetëm 17% e fermerëve të anketuar nuk këshillohen me agronomë, ndërkohë vetëm 35% e tyre kooperojnë formalisht me njëri-tjetrin.
Rezultatet e anketës tregojnë se informacioni në dispozicion të fermerëve për politikat, standardet, rregulloret, legjislacionin ose kërkesat e BE-së është i kufizuar. Pjesa më e madhe e të anketuarve u përgjigjën negativisht ndaj deklaratave për çështje të bujqësisë organike, sipas rregullave dhe legjislacionit të BE-së. Në lidhje me legjislacionin shqiptar, fermerët janë mesatarisht pak më të informuar.
Si mund të konvertohen fermat në organike
Në një studim të posaçëm për fermat organike, i cili u financua së fundi nga Bashkimi Europian, çdo fermë që dëshiron të prodhojë në mënyrë organike duhet t’i nënshtrohet një procesi të njohur si “periudha në kalim”.
Gjatë kësaj periudhe, metodat e prodhimit organik duhet të përdoren, por produkti që rezulton nuk mund të shitet si organik. Zgjatja e kësaj periudhe kalimi varet nga lloji i produktit organik që prodhohet, ku specifikisht duhen tre vjet për pemëtoret dhe vreshtat, 12 muaj për tokat e kullotjes për derrat dhe shpendët (pulat) dhe 2 vjet për tokat e kullotjes për të imtat.
Periudha në kalim mund të jetë e vështirë për fermat organike, sepse metodat organike shpesh rezultojnë në rendimente më të ulëta, ndërsa në të njëjtën kohë, produktet e prodhuara gjatë periudhës së konvertimit nuk mund të përfitojë të njëjtin çmim premium. Për të kultivuar produktet gjatë periudhës në kalim, farërat duhet të jenë organike. Për këtë arsye, vendet e BE-së ofrojnë masa të ndryshme mbështetëse për të ndihmuar fermerët që të kalojnë në bujqësinë organike.
Mbështetja financiare e BE-së ofrohet edhe për periudhën në kalim, por edhe pas saj (për të qëndruar në statusin e prodhimit organik). BE gjithashtu ndihmon fermerët të krijojnë organizata prodhuese që ndihmojnë në mbrojtjen kundër praktikave të padrejta tregtare dhe gjithashtu i ofron mbështetje gjatë luhatjeve të tregut këtyre fermerëve.
Në vendin tonë, normat e pagesave për konvertim varen nga lloji i kulturës së mbjellë. Për shembull 1 (një) hektar tokë e punueshme ka një pagesë konvertimi nga 77-600 euro. Kurse 1 (një) hektar tokë për vreshta ka një pagesë për konvertimin 350-1080 euro.
Disa nga kriteret/kërkesat për të përfituar këtë pagesë janë mbajtja e shënimeve të të dhënave mbi fermën, trajnime të vazhdueshme, reduktimi i përdorimit të plehut me nitrogjen, ndalimi i kultivimeve paralele, ndalimi i konvertimit nga kullota të përhershme në toka të punueshme etj.