VOA/ Meta: Rama nuk është transparent për komunikimet me Greqinë mbi çështjen e detit

0
125

Presidenti Meta shprehu sot shqetësimin e tij për mungesën e transparencës nga ana e qeverisë Rama lidhur me bisedimet me Greqinë për kufirin detar, shelfin kontinental dhe zonat ekskluzive ekonomike mes dy vendeve.

Zoti Meta kujtoi në një konferencë shtypi se autorizoi ministrin për Europën dhe Punët e Jashtme në mars 2018 për këto negociata, por pas tre raunde bisedimesh me palën greke po atë vit, ai dhe kryeministri Rama ranë dakord që kreu i qeverisë të udhëhiqte personalisht negociatat me shtetin grek.

“Por nga ajo kohë zoti Rama nuk dërgoi në presidencë asnjë kërkesë për autorizim. Kryeministri jo vetëm me opinionin publik, por dhe me Presidentin e Republikës, nuk ka qenë transparent, dhe asnjë kërkese të Presidentit për informacion nuk i është sjellë një përgjigje shteruese dhe serioze nga ana kryeministrit dhe ministrit për Europën dhe Punët e Jashtme” – tha zoti Meta.

Zoti Meta i bëri këto komente një javë pas vizitës që ministri i punëve të jashtme të Greqisë, Nikos Dendias, zhvilloi në Shqipëri.

Në përfundim të kësaj vizite, duke folur për mediat greke, ai kujtoi se me Shqipërinë është rënë dakord që çështja t’iu referohet Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë dhe se “kjo nuk ka ndodhur ende pasi Presidenti nuk i ka dhënë autorizimin përkatës kryeministrit”, gjë që do të jetë e realizueshme brenda dy-tre muajve, kur Shqipëria do të zgjedhë një President të ri”.

Vendimi që përcaktimi i kufijve detarë të marrë zgjidhje në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë u bë i ditur një vit e gjysmë më parë nga kryeministri Edi Rama dhe ministri Dendias, po gjatë një vizite në Tiranë.

Kjo çështje u përsërit edhe në konferencën e përbashkët të ministrit Dendias në Tiranë një javë më parë me ministren e punëve të jashtme, Olta Xhaçka, e cila tha se “i konfirmuam dhe njëherë vullnetin tonë për kërkimin e një kompromisi për ta referuar çështjen tek një palë e tretë gjyqësore, siç është Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë”.

Ndërsa ministri Dendias theksoi përkrah saj se “është e rëndësishme si do të përshpjetojmë hapat për të përmbushur pjesën teknike në mënyrë që të depozitojmë sa më shpejt dokumentat në gjykatë”.

Dërgimi në gjykatë kërkon që palët të përcaktojnë pikat e mosmarrëveshjeve mes tyre, për të cilat do të kërkojnë interpretimin e gjykatës.

Bisedimet mes tyre duhet të zhvillohen pas dhënies së plotfuqisë nga ana e presidentit, ndërsa marrëveshja sërish do të duhet të ratifikohet nga parlamenti.

Por presidenti Meta theksoi sot se nuk është në dijeni nëse midis dy qeverive apo kryeministrave është miratuar apo është rënë dakord me ndonjë akt për të ndërprerë, pezulluar apo për të dalë nga negociatat e nisura nga 2018 dhe sipas tij, palët ende zyrtarisht janë në negociata.

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here