Pas disa ditësh luftë, neutralizohen vatrat e zjarrit në ishullin e Sazanit, pas një pune të pandërprerë nga toka dhe ajri, bën me dije Ministria e Mbrojtjes.
Në këtë operacion u angazhuan 122 efektivë të Forcave të Armatosura, 9 mjete, 2 anije gjatë tri ditëve më parë për të shuar flakët.
Ndërkohë, mëngjesin e sotëm nisi edhe ndërhyrja nga ajri, ndërsa forcave në terren iu bashkua edhe avioni Canadair CL 415, i ardhur si mbështetje nga Greqia, në kuadër të Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të Bashkimit Evropian.
Situata në ishullin e Sazanit është nën kontroll, ndërsa puna vijon për të shmangur totalisht mundësinë e rindezjes së flakëve për shkak edhe të bimësisë.
Ndërkaq 54 efektivë të FA iu bashkuan forcave zjarrfikëse në aksionin për shuarjen e vatrës së zjarrit në njësinë administrative Orosh të Mirditës.
Në operacionin që u finalizua në një kohë të shpejtë u bë e mundur shmangia e përhapjes së flakëve pranë banesave.